Ministria e Mbrojtjes (MM), vazhdon të ketë mungesë të Kombi-busëve. Kjo për shkak se kompania e kontraktuar nuk i ka përfill kushtet e kontratës.
Sipas dosjes së tenderit për tenderin “Furnizim me automjete transporti, Kombi-bus” e publikuar në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit, për nevoja të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte zhvilluar procedurë e hapur e prokurimit. Në dosjen e tenderit te specifikat teknike ishte kërkuar që Kombi-busi të këtë minimumi 22 ulëse dhe afati i liferimit të jetë para fundit të vitit fiskal (afati 15 dhjetor 2022).
Dosti i ministrit Arben Vitia merr sot detyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së
Asnjë ofertë e përgjegjshme nuk ishte pranuar me këto kritere. Pas kësaj, Ministria ka emëruar një komision për hulumtimin e tregut, i cili kishte ardhur në përfundim se duhet ndryshuar specifikimet teknike dhe Kombi-busi të jetë versioni 19+1. Ministria kishte ri-shpallur tenderin për të njëjtin furnizim duke e aplikuar procedurën e negociuar pa publikim, për aplikimin e kësaj procedure kishte njoftuar paraprakisht Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Nga procesi vërehet se ndryshimi i procedurës nga e hapur te e negociuar ka ardhur duke i ndryshuar specifikat teknike (numri i ulëseve), e që zgjon dilemën nëse me këto specifika të reja kishte konkurrencë dhe mund të aplikohej përsëri procedura e hapur. Aplikimi i procedurës së negociuar nuk ishte justifikuar pasi që asnjëra nga kriteret nuk ishte përmbushur. Kontrata ishte nënshkruar me vlerë prej 1,448,911 euro.
Sipas kontratës Kombibusi duhet të jetë versioni 19+1 kurse afati i liferimit para fundit të vitit fiskal 2022. Deri në fund të vitit 2022 asnjë Kombi-bus nuk ishte pranuar, përderisa deri në fillim të muajit prill 2023 janë pranuar vetëm 7 nga 18 kombi-busët e kontraktuar”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, ministria ka shpenzuar rreth 95% të buxhetit final ose 137,592,675 euro me një përqindje të njëjtë të realizimit si në vitin 2021. Fushat me probleme të theksuara sipas auditorit, kanë të bëjnë me menaxhimin e proceseve të prokurimit si: specifikime jo të qarta, aplikimi i procedurave kufizues dhe vonesa në realizimin e projekteve.
Mangësi tjera në menaxhimin e financave ishin edhe mbyllja e avansit pa ofrim të shërbimeve, vonesa në pagesën e faturave dhe prezantimi jo i drejtë i detyrimeve kontingjente dhe pasurive (stoqeve)./Botapress.info/