Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit për strehimin e qenve endacakë.
Në vendimin e MMPH-së thuhet se ky vendim nuk është i bazuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor.
MMPH i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që vendimi të bazohet në dokumentet e planifikimit hapësinor i paraparë sipas ligjit.
“Komuna duhet të harmonizojë vendimin me dispozitat ligjore në fuqi brenda 30 ditësh” thuhet ndër të tjera në arsyetimin e MMPH-së, pas anulimit që i ka bërë vendimit të Komunës së Prishtinës.
Indeksonline ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për hapat e radhës karshi vendimit të MMPH-së.
Në përgjigjen e dhënë, Komuna ka njoftuar se është në diskrecionin e Kuvendit Komunal për të vendosur në lidhje me raportin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
“Në kushtet kur një Vendim kthehet në afatin kohor prej 15 ditësh, atëherë është në diskrecionin e Kuvendit Komunal që të vendos në lidhje me raportin e vlerësimit të Ministrisë, pas një arsyetimi teknik që do ta bëjë Drejtoria kompetente për planifikim, se ky caktim lokacion a është në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor. Në rastin konkret Kryetari i Komunës së bashku me Kryesuesin këtë çështje e kanë vendosur si pike të rendit të ditës për mbledhjen e radhës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës,.