Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës.
Vlera e kësaj marrëveshje kap shifrën e 19.8 milionë euro dhe 13.5 milionë euro, respektivisht, njofton zyra për media e kësaj ministrie, raporton Gazeta Botapress.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, së bashku me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Investime (BEI) Matteo Rivellini dhe Cagin Pabucco, si dhe me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) Matteo Colangeli, kanë nënshkruar sot marrëveshjet financiare për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës, në vlerë prej 19.8 milionë euro dhe 13.5 milionë euro, respektivisht”, thuhet në komunikatë.
Ky projekt që bashkë-financohet nga këto dy institucione bankare evropaine do të shërbejë për rreth 213 mijë qytetarë të komunës së Mitrovicës.
“Projekti që bashkë-financohet nga këto dy institucione parasheh ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues. Rreth 213,000 qytetarë të Komunës së Mitrovicës pritet të përfitojnë nga ky projekt, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetit publik. Zhvillimi i këtij projekti infrastrukturor do të zvogëlojë ndotjen e mjedisit, veçanërisht në lumin Ibër. Projekti mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, me një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor”, thuhet tutje.