Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kërkuar sqarime nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për pjesëmarrjen e Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, në aksionin “Defender Europe 2021”, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë pyetje të Musliut, Mehaj nuk dha përgjigje.
Megjithatë ai lëvdata pati për mbarëvajtjen e aksionit dhe pjesëmarrjen e ushtarëve të FSK-së në të.
“Më lejoni të ju informoj se ‘Defender Europe’, 2021 ka qenë një operacion i përbashkët i udhëhequr nga ShBA-të. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë 28 shtete, në mesin e tyre edhe mbi 300 ushtarë të FSK-së”, deklaroi ai.
Më tutje, ministri i Mbrojtjes tha se për tu përgjigjur për këtë çështje është komandanti i FSK-së.
“Nuk po lëshohem në deklarata, sepse deklaratat e tilla e minojnë funksionin e këtij aksioni. Është komandanti ai i cili ka raportuar në Komision është deklaruar edhe para mediave, unë jam politik, ai është ushtarak”, ka thënë Mehaj.
Pas kësaj deklarate të Mehajt, ka reaguar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Ajo kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Mbrojtjes.
“Kërkojë shkarkimin e menjëhershëm të këtij ministri. Ministri i FSK-së që nuk di kompetencat e veta. Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të tij”, ka thënë ajo.