Rreth 80 minatorë janë ngujuar në minierën e Trepçës, duke kërkuar rikthimin në punë të punëtorëve të suspenduar rreth tre muaj më parë.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, teksa ka bërë të ditur se ata kërkojnë edhe rikthimin e ish-drejtorit Rafet Ibishi.
“Janë ndërrimi i parë, që kanë filluar punën në orën 7 në mëngjes. Ata kërkojnë që të kthehen shokët e tyre në punë.” tha Osmani.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, ishin sulmuar fizikisht në tetor.
Abdurrahmani e ka akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.
Pas këtij incidenti, Ibishi ishte suspenduar nga një pozitë tjetër që e mbante në këtë ndërmarrje. Përpos tij, ishin suspenduar edhe Zenel Ibishi, Rrahman Latifi, Sehfki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari, deri në marrjen e një vendimi nga Këshilli Disiplinorë.
Më poshtë gjeni dokumentin e siguruar atëkohë nga Klan Kosova për suspendimin.