Sot është dita e nëntë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.
Gjatë ditës së djeshme, Menaxhmenti i Minierës së Trepçës të martën ka marrë vendim që t’ua ndalojë mëditjet e rregullta dhe pagesën për shujtë të gjithë minatorëve që janë në grevë, pasi më herët pezulloi kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës dhe katër anëtarë të saj. Pagesat e ndaluara do të llogariten nga data e fillimit të grevës, më 24 tetor.
Në arsyetim të vendimit, menaxhmenti i Trepçës thotë se punonjësit e kanë bojkotuar punën pa paralajmërim.
“Si dhe bazuar në Ligjin për Grevat ku thuhet se ‘gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’, menaxhmenti vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetim.
Tutje, menaxhmenti i Trepçës pretendon se greva e minatorëve është e paligjshme, pasi “është dashur të njoftohet së paku shtatë ditë më herët”.
Një ditë më parë menaxhmeti i Trepçës ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha, me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.
Jonuzi e cilësoi një vendim të tillë anti-ligjor.
Jonuzi, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u prit nga një grup deputetësh nga pozita e opozita ka thënë se kërkesat e tyre janë ato dhe nuk ndryshojnë.
Januzi ka kërkuar që çështja e minatorëve të mos politizohet.