Mijëra të rinj në Kosovë provojnë çdo muaj ta marrin një biletë pa kthim drejt Gjermanisë apo vendeve tjera europiane. Ata kështu po bëjnë mëkat, sipas kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava.
Të dielën, pasi e hëngri iftarin e fundit të Ramazanit me krerët e shtetit, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, Tërnava i ftoi të rinjtë që të mos largohen nga vendi, pasi tha se i kanë kërkuar Qeverisë që të krijojë vende të reja të punës.
“Ftoj rininë tonë që të mos e marrë rrugën e mërgatës, që të mos largohet nga këto troje. Qeverisë i kemi thënë që me një shpejtësi të madhe të krijojë vende të reja të punës në mënyrë që ta ruajmë këtë vend sepse Zoti na ka krijuar këtu. Marrja e rrugës dhe heqja dorë nga ky vatan, unë e konsideroj edhe mëkat”, tha Tërnava në Tëvë1.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2022/05/1.5.2022-ZKM-3-900x600.jpg)
Pak orë më pas kësaj porosie, në manifestimin qendror të festës së Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Tërnava tha se “njerëzimi i dhënë pas kësaj bote materiale sikur po harron shpirtëroren e mësimet hyjnore”.
“Si besimtarë e kemi për obligim që ta ruajmë me kujdes ekuilibrin ndërmjet dynjasë e ahiretit, ndërmjet materiales e shpirtërores, ndërmjet humanes e egoizmit”, tha myftiu në fjalimin e tij të hënën.
Tërnava, sikur edhe krerët e shtetit, u tha qytetarëve se kriza sociale është globale.
“Tani së fundmi, përveç konflikteve e luftërave, bota po përballet edhe me rritjen e krizës sociale që rrezikon shtresën e mesme ekonomike të popullatës”, konstatoi ai.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2022/05/279392732_5067626529940676_6031669774560797_n-900x600.jpg)
Publicistja Kimete Berisha reagoi të hënën, duke e quajtur “karrierist” Tërnavën, nga i cili kërkoi deklarimin e pasurisë.
“Pse nuk po e lë edhe ti ‘punën’, pse nuk po bëhesh burrë i mirë e ta dorëzosh pasurinë për hir të Allahut dhe Vatanit (jepe pasurinë për jetima, o djalë, për vakëf – pse nuk e jep, jepe kerrin..nuk e kuptoj pse tubon pasuri të kësaj bote të rrejshme)”, shkroi ajo në Facebook, duke ia përmendur “mëkatet” myftiut.
Duke e quajtur Tërnavën lakmitar, Berisha tha se “shqiptarët nuk largohen nga Kosova për qejf”.
“Shqiptarët nuk janë mëkatarë që janë larguar nga papunësia, varfëria, nga vendi ku mbijetohet me të njofshëm dhe duke vjedhur”, shkroi ajo.
Tërnavës i reaguan edhe shumë qytetarë, të cilët komentuan nëpër lajmet ku u transmetua deklarata e kryetarit të BIK-ut.
Vetëm në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, për çdo muaj rreth 50 mijë kosovarë aplikojnë për të marrë viza pune. Kjo ambasadë i lëshon 500 deri në 800 viza pune çdo muaj, e për to aplikojnë rreth 50 mijë.
Gjermania, ku përqendrohet pjesa më e madhe e diasporës, është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës.
Në janar, Qeveria gjermane njoftoi se do të hapë 300,000 vende të punës për të huajt.
“Me qëllim që të shmanget mungesa e punëtorëve, në Gjermani duhet të ndodhë një migrim i shkallës së gjerë”, tha zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck.
Politikat në Kosovë nuk shkojnë në favor të motivimit të të rinjve për të qëndruar. Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Europë. Të punësuarit e moshës nën 35 vjeç paguhen 130 euro në muaj, ndërsa ata mbi 35 vjeç paguhen 170 euro në muaj.
Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas ASK-së.