Lionel Messi ka dhënë një intervistë të gjatë dhe pak më të thellë sesa vetëm rreth futbollit.
Prestigjiozja franceze, France Football, e cila ndanë çmimin për lojtarin më të mirë të vitit, ‘Ballon d’Or’, ka bërë një intervistë me shtatë herë më të mirin, duke trajtuar shumë çështje.
Messi ka folur për rëndësinë e tij në komunitetin e futbollit, ku ai shihet si një model për t’u marrë shembull, megjithatë, kjo duket se nuk i pëlqen edhe aq.
Tutje, argjentinasi ka komentuar edhe epitetin që shpesh i jepet si më i miri i të gjitha kohërave. Këtu, ai ka pasur një përgjigje si gjithmonë modeste.
“Nuk e di nëse jam një model për t’u ndjekur shembull. Nuk më pëlqen të jem ashtu, ose të jap këshilla. Unë kam luftuar për ëndrrat e mia. Fillimisht ëndrra ishte të bëhem futbollist profesionist, pastaj provova të tejkalojë veten dhe vendosja qëllime të reja çdo vit”, ka thënë Messi, transmeton Lajmi.net.
“Unë kurrë nuk kam thënë (për më të mirin në histori), menduar, apo edhe tentuar të jem në kushtet e këtij epiteti. Për mua, vetëm të jem i aftë që të konsiderohem apo të përmendem si një nga më të mirët në histori, është e mjaftueshme. Është diçka që unë kurrë nuk do të imagjinoja për të, apo të guxoja të ëndërroja për këtë”, shtoi argjentinasi.
“Por, unë nuk e di si ta them pa u keqinterpretuar. Nuk është se nuk më intereson kjo, por, le të themi që nuk i jap aq rëndësi. Nuk ndryshon asgjë për mua nëse jam më i miri ose jo. Unë kurrë provova të jem ai”, ishin fjalët e Lionel Messi.
Lionel Messi më 29 nëntor fitoi Topin e Artë numër shtatë, duke u afruar më shumë se kurrë me epitetin e më të mirit të të gjitha kohërave.