Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi siç ka thënë ai, nuk ka thënë asnjë fjalë për Çakorrin.
Ai është shprehur se deputetët e Vetëvendosjes e Kurti para se të vinë në qeverisje i kanë lodhur duke përmendur Çakorrin e Zhlepin, por që sipas tij, ndonëse u takon me ligj që të rishikojnë demarkacionin me Malin e Zi, ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Më duket që keni heq dorë edhe nga rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Na patët pas lodh Çakorri Çakorri, Zhlepi. Sot që keni përgjegjësi me e rishiku demarkacionin, ju asnjë fjalë nuk guxoni me thënë këtë që e keni obligim ligjor”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, Krasniqi ka kritikuar qeverinë edhe për programin qeverisës.
Ai është shprehur se ky program nuk përmban asnjë objektivë e plan kohor për realizimin e projekteve.
“Kjo mund të jetë hera e parë që shohim një program qeverisës që nuk përmban objektiva, e nuk ka asnjë plan kohor për realizimin e atyre pak projektve. Kjo tregon mungesën e guximit qeverisës, Ne nuk kam pritur që programit tuaj do t’i mungoj bazamenti ideologjike. Kjo vërtetë është befasuese kur vjen nga një kryeministër me bindje të majta. Ju nuk keni treguar se sa tentoni të ketë rritje ekonomike në fund të mandatit, sa do të ulet papunësia, sa do të ulet niveli i ekonomisë joformale. Nuk keni treguar as papunësinë sa do ta ulni, as sa përqind të buxhetit do ta shpenzoni në investime kapitale”, ka deklaruar.
Krasniqi ka ironizuar me programin qeverisës duke thënë se duket si temë diplome e një studenti.