Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, emisarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Ministria e Mbrojtjes thotë se Mehaj ka marrë mbështetje të fuqishme nga Escobar, raporton Gazeta Express.
“Në këtë takim, ministri Mehaj e njoftoi z.Escobar me vizionin dhe qëllimet e tij strategjike, si dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe nga ai mori mbështetjen e plotë në realizimin e tyre”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Tutje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Mehaj dhe Escobar u pajtuan se “të arriturat e deritashme të Ministrisë dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë”.
Në fund të këtij takimi, Escobar thuhet se e falenderuar ministrin Mehaj dhe e ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-s në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani.