Muhamet Hamiti, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, duke thënë se ka qenë ky i fundit, ai që me urtësi e largpamësi, i dëshmoi botës se Kosova është në Europë në rrafsh historik, kulturor e identitar.
Hamiti ka shtuar se, Rugova, të cilin ai e cilëson si prijës historik, e rilidhi Kosovën me perëndimin, gjë që u shpagua në orët më të liga, atëherë kur Milloshevici e serbët, tentonin ta fshinin popullin e Kosovës prej faqes së dheut.
“Engjulli mbrojtës i Kosovës është filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, e Atit Themeltar të shtetit tonë, praktika politike e gjithë atyre që herët a vonë e kanë pranuar dhe vënë në jetë këtë filozofi. Jo duke e përmendur për hesape politike Ibrahim Rugovën, e duke punuar kundër kësaj fryme, por duke jetuar e punuar në këtë frymë”, ka thënë ndër tjerash Hamiti.
Postimi i plotë:
Me urti e largpamësi, Ibrahim Rugova ia doli t’i dëshmojë botës se Kosova është Evropë në rrafsh historik dhe kulturor, identitar, se gjeografikisht natyrisht këtu kemi qenë e jemi. Një para-entitet të Kosovës moderne e shihte te Dardania antike. Kështu, prijësi historik i Kosovës e rilidhi vendin dhe popullin e vet me Perëndimin, që u shpagua kur, në orët e liga të historisë, kur Millosheviqi e serbët deshën të na fshinin prej faqes së dheut, kur luftëtarët tanë luftonin kundër Serbisë me fuqinë që kishin, kjo botë demokratike perëndimore, e bashkuar rreth Alencës Veri-Atlantike (NATO-s), nën drejtimin e SHBA-ve me aleatët, doli krahë nesh, bëri luftë 78-ditëshe në pranverë të vitit 1999 për të na shpëtuar. Dhe, prandaj, sot jemi të lirë e të pavarur; edhe vend demokratik.
“Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”.
Ky ka qenë programi politik e nacional i Ibrahim Rugovës. Kjo është trashëgimia për Kosovën e pavarur dhe sovrane, pjesë e sistemit ndërkombëtar.
Shkulme ahistorike ka pasur në Kosovë. Mund të ketë edhe tash. Por populli shqiptar i Kosovës do t’u rezistojë, siç u ka rezistuar, madje edhe në kohë më të vështira.
Engjulli mbrojtës i Kosovës është filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, e Atit Themeltar të shtetit tonë, praktika politike e gjithë atyre që herët a vonë e kanë pranuar dhe vënë në jetë këtë filozofi. Jo duke e përmendur për hesape politike Ibrahim Rugovën, e duke punuar kundër kësaj fryme, por duke jetuar e punuar në këtë frymë. /Botapress.info/