Botapress 28 Gusht – Kosova në dy javët e fundit është duke u përballur me një valë të re të vdekjeve dhe infektime masive si pasojë e variantit Delta të COVID-19. Gishti është drejtuar nga ministri, Arben Vitia, nga i cili po kërkohet edhe dorëheqja.
Por, Vitisë në mbrojtje i kanë dalë përkrahës të VV’së e zyrtarë të lartë të Qeverisë si Donika Gërvalla e Besnik Bislimi, pavarësisht se në vend numri i vdekjeve është shumë i lartë. Më 26 gusht kanë qenë 18 vdekje, derisa më 27 gusht si pasojë e COVID-19 janë shënuar edhe 16 viktima.
Por çfarë kishte shkruar zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku më 4 korrik të vitit 2020 kur Kosova kishte shënuar 6 vdekje si pasojë e COVID-19 dhe kur MSH-ja drejtohej nga Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Çeku atë botë kishte thënë të mos pritet asgjë nga Qeveria meqë s’kanë as ide e as vullnet të merren me situatën pandemike.
“Gjashtë të vdekur vetëm sot nga COVID-19. Kjo është dhimbje e madhe. Qytetarë të nderuar, kujdesuni për vetën tuaj dhe të tjerët. Distancë, maskë, higjienë. Mos prisni asgjë nga kjo qeveri, nuk e kanë as ide e as vullnet të merren me pandeminë”, kishte shkruar Çeku në profilin e tij.