Tashmë ka arritur të jetësohet më shumë se gjysma e Marrëveshjes së Bratisllavës, të dakorduar më 21 korrik ndërmjet Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ndërmjetësit sllovak të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kjo marrëveshja përkthehej në largim të njësive speciale policore në dhe rreth komunave si dhe çeljen e rrugës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Dy muajve tensione të ashpra që sollën izolimin dhe sanksionimin ndërkombëtar të Kosovës – që për mendjen e shëndosh të shumkujt lexoheshin thjesht për mbajtjen e Lulzim Hetemit si “të burgosur komunal” – do të njoftohej se po u vinte fundi.
Bislimi do të njoftonte po atë ditë se “menjëherë” do të zvogëlohej prania prej 25 për qind e njësive speiciale policore “në dhe rreth” komunave (gjë që edhe ishte bërë menjëherë) si dhe atë që do të mbahej takim i përbashkët “për vlerësim të sigurisë” mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, për të konsideruar “zvogëlimet e mëtejme të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”. Edghe kjo e dyta ndodhi sot, njoftoi Policia e Kosovës. Tjetra, tashmë Qeveria e Kosovës ka formuar Grupin Punues për të hartuar udhëzuesin administrativ për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Hap ky gjithashtu i dakordësuar në Bratisllav nga Bislimi dhe Lajçaku.
Largimi e rradhës prej edhe 25 për qind të pranisë së njësive speciale “në dhe rreth” ndërtesave komunale në pjesën veriore të vendit, e ka mirëpritur dhe e ka quajtur “hap të rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë”, Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. “E mirëpres vlerësimin e sotëm të parë të përbashkët të sigurisë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-s siç jemi pajtuar në Bratisllavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Se tashmë është përgjysmuar vëllimi i pranisë së njësive speciale policore në veri e konfirmoi edhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla. “Që nga nesër do të zvogëlojmë prezencën policore edhe me një tjetër 25% në dhe rreth ndërtesave komunale”, ka shkruar Sveçla.
“Policia e Kosovës mbajti takim me EULEX_in dhe KFOR-in siç ishte e paraparë në pikën 2 të marrëveshjes së Bratisllavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është që situata është e qetë. Që ngha nesër do të reduktojmë prezencën policore edhe me një 25 përqindësh tjetër në dhe rreth ndërtesave komunale“, ka shkruar ai.
“Kosova po zbaton zotimet e saj të ndërrmarra në Marrëveshjen e Bratisllavës dhe vazhdon të kontribuojë pozitivisht për de-eskalim“, ka shkruar Xhelal Sveçla.
Konsistenca nuk është një virtyt që Bislimi gëzon në veprimtarinë e tij politike duke qenë se ditë më parë duke folur për gazetarë kur të pranishëm ishin Radio Evropa e Lirë, u ka thënë atyre se “nuk duhet të ketë zgjedhje të reja pa u hequr sanksionet e BE-së ndaj Kosovës”.
BE i ishte përgjigjur menjëherë Bislimit se zgjedhjet e parakohshme në pjesën veriore të vendit duhet të shpallen sa më parë dhe se sanksionet për sa kohë situata në veri është tensionuar mbesin. Nacionale kishte dërguar pyetje në Bashkimin Evropian në lidhje me këtë çështje dhe ka marrë përgjigjen si vijon: Megjithëse thanë se nuk komentojmë mbi komente, ata përsëritën që “BE-ja pret nga palët që të zbatojnë kërkesat e saj të theksuara në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor 2023.”
“Kjo qartazi përcakton se zgjedhjet e reja do të duhet të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë krejtësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat veriore me shumicë serbe. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje,” – tha një zëdhënëse e BE-së për Nacionalen.
Ishte Policia e Kosovës ajo që sot njoftoi për takimin koordinues të tre operatorëve të sigurisë në veri, ku u diskutua për reduktimin e dytë të asaj që është quajtur “reduktim 25%” i pranisë së njësive speciale policore.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”.
“Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”, njoftoi mes tjerash Policia e Kosovës.