Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e ka cilësuar të “papërgjegjshme dhe aspak profesionale” deklarimet e deputetes së koalicionit qeverisës, Duda Balje, në Komisionin Hetimor për energjinë të mërkurën.
Abazi është përfshirë në debatin politik që nisi të mërkurën pas kërkesës së Armend Mujës, kreut të Komisionit Hetimor për Energjinë, për shkarkimin nga komisioni të deputetes së Grupit Parlamentar Multietnik.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë të mërkurën në mbrëmje se deklarimet e Baljes në lidhje me mungesën e tij në mbledhjet e komisionit, janë të pavërteta.
“Sqarim: meqë më është përmendur emri në takimin e Komisionit parlamentar hetimor për energji për periudhën 2006-2022, unë kam dhënë dorëheqje para se të mbahet takimi konstituiv i komisionit. Deklarata se kam munguar tre herë është e papërgjegjshme dhe aspak profesionale”, tha Abazi në një shkrim në rrjetet sociale të mërkurën, raporton Botapress.
Ndërkaq, deputetja Duda Balje është përplasur të mërkurën me kryetarin e Komisionit Hetimor për energjinë, Armend Mujën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi deputeti nga Mitrovica kërkoi shkarkimin e saj nga komisioni.
Balje tha se arsyeja pse deputeti Muja kërkoi dorëheqjen e saj nga komisioni, lidhet me faktin se LVV e do në Komision një deputet nga grupi multietnik, që do të votonte ashtu siç dëshiron partia në pushtet.
“Haki Abazi ka dhënë dorëheqje, dhe jam shumë e sigurt se Vetëvendosja po do të më zëvendësojë mua me dikë tjetër prej grupit parlamentar multietnik”, tha Balje.
Në një deklarim për Paparacin, deputetja e komunitetit boshnjak tha se përplasja e saj me Mujën nuk e rrezikon qëndrimin e saj për koalicionin qeverisës. Ajo e cilësoi Mujën “faktor jorelevant” për çështjen e koalicionit.