Botapress, 23 Tetor – Katër vite më parë e dorëzuan garën, për të mos i dalë përballë, siç deklaronin atëkohë – familjes Jashari. Katër vite pas, lufta politike mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Bekim Jasharit në Skenderaj ka marrë përmasë tjetër.
Sami Lushtaku në një anë, Bekim Jashari në anën tjetër kanë “luftuar” në çdo shtëpi të Skenderajt për të marrë votë. Njëri për bashkëpartiakun e tij, Fadil Nurën, e tjetri për veten. Rezultatet preliminare kanë nxjerrë fitues me mbi 50% kandidatin e PDK-së, Fadil Nura. Por këtë rezultat nuk po e pranon Bekim Jashari, që ka akuzuar hapur oponentët e tij politikë për vjedhje të votave. Pretendimi i tij është se ka pasur vjedhje në sistemin e “trenit bullgar”.
18 vjet pas luftës së fundit, Bekim Jashari, djali i heroit kombëtar, Hamëz Jashari, njoftoi opinionin se do t’i hyjë garës politikës duke shpallur kandidaturën për kryetar të Skenderajt si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale që priteshin të mbaheshin atë vit.
“Këto ditë qe lamë pas kanë qenë ditët më të vështira për mua dhe familjen time, ndoshta që nga paslufta e deri më sot, por duke i parë zhvillimet e ditëve që lamë pas, e posaçërisht kërkesën e qytetarëve që unë të dalë për të parin e komunës tonë, mora guximin dhe vendosa që të dalë si kandidat i pavarur për kryetar të qytetit tonë”, kishte qenë njëra nga fjalitë e Jasharit në gusht të 2017 kur njoftoi zyrtarisht futjen në politikë.
Deri në atë kohë, as Bekim Jashari e as ndonjë pjesëtar tjetër nga familja e tij nuk ishin marrë me politikë.
Jashari, para se të bëhej kryetar Komune, kishte qenë nëpunës shtetëror për një kohë. Ai kishte shërbyer si kryetar i bordit në Agjencinë e Shërbimeve te Navigacionit Ajror (AShNA) që menaxhon trafikun ajror të Kosovës. Aeroporti ndërkombëtar mbanë emrin e xhaxhait të tij, komandantit legjendar, Adem Jashari.
Kandidimi i Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale të 2017, ishte befasi për shumëkënd. Madje pati edhe zëra kritikë që kundërshtuan përfshirjen e familjes Jashari në politikë.
Deri në vitin 2017, komuna e Skenderajt që nga shpallja e pavarësisë ishte udhëhequr nga kryetarë që vinin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, kur Jashari kandidoi, PDK, që në atë kohë kishte për kryetar Kadri Veselin, vendosi që të tërhiqet nga gara, duke i dhënë mbështetje absolute Bekim Jasharit.
Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në muajin nëntor të 2017, Bekim Jashari ishte në garë me Hysni Mehanin nga Lëvizja Vetëvendosja, Musa Dervishaj nga Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Isa Fejzullahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Jashari mori 85.5% të qytetarëve që votuan dhe që në raundin e parë u vu në krye të Komunës për 4 vitet e ardhshme.
Mbështetja që u zbeh shpejt
Vitet e fundit të mandatit të parë si kryetar komune, Bekim Jashari nuk i përfundoi ashtu siç i kishte nisur. Mbështetja që dukej e “pakompromistë” nga PDK për të, filloi të zbehej shumë shpejt. Në anën tjetër, as Jashari nuk u kursye me akuza, kryesisht në drejtim të Lushtakut.