Krerë shtetesh u mblodhën të mërkurën në Neë York për takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit ku u fol për luftën në Ukrainë. Mbledhjen e udhëhoqi Edi Rama, fjalët e së cilit u bënë po aq lajm sa vetë mbledhja. Kryeministri shqiptar depërtoi në media të mëdha ndërkombëtare dhe u falënderua publikisht nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilit ia hoqi pengesat teknike për ta vazhduar ofensivën diplomatike për vendin e tij që po lufton kundër agresionit. Në ndërhyrjet jo shumë diplomatike, Rama shfrytëzoi rastin që ta mbrojë edhe historinë e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk flet. Kjo fjali, bashkë me disa të tjera me të cilat Edi Rama iu përgjigj ambasadorit rus në OKB, Vassily Nebenzia, u bë lajm i rëndësishëm në mediat ndërkombëtare. Kryeministri shqiptar u ul në karrigen e kryesuesit për ta udhëhequr për herë të parë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ditën e djeshme e konsideroi si “ditën më krenare të Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare”.
Themelohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore
Mbledhja kishte në fokus luftën e Rusisë në Ukrainë, por po aq lajm u bë edhe performanca e Ramës. Që në nisje, ambasadori rus replikoi me kryeministrin Rama, duke kërkuar që të mos i jepej fjala presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ishte i pranishëm aty për herë të parë që prej nisjes së luftës.
Rama fillimisht përmendi rregullin 39 të dispozitave të përkohshme të Këshillit të Sigurimit për të treguar se kush do të fliste në vijim.
Përveç Zelenskyt, delegacionit rus i pengoi edhe pjesëmarrja e ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Zoti President, u nxituat të thoni ‘pra, u vendos’. Kemi dy pyetje. Së pari e mbi të gjitha dua t’ju pyesim mbi ç’bazë propozoni që t’i jepnit presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky fjalën përpara se të flasin anëtarët e Këshillit të Sigurimit, shumica e të cilëve përfaqësohen po kështu në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive. Pyetja e dytë që dua ta bëj është mbi ç’bazë e ftoni ju ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm në cilësinë e kryetarit të OSBE-së?”, reagoi menjëherë përfaqësuesi i Rusisë.
Rama përmendi rregullat, duke thënë se kjo nuk përbën përjashtim nga praktikat e mëparshme.
“Dua t’i siguroj kolegët tanë rusë e të gjithë ata që janë këtu, se ky nuk është një operacion special i Presidencës Shqiptare, por një vijimësi e një praktike kohëgjatë e të konsoliduar të këtij Këshilli, për rrjedhojë është në përputhje të plotë me udhëzimet dhe praktikat e Këshillit”, tha ndër tjerash Rama.
Për kryediplomatin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Rama tha se dëshiron të dijë se pse Rusinë e shqetësonte prania e tij në mbledhje, përveç faktit që ai është shqiptar.
“Sa i përket pyetjes së dytë, kam pak vështirësi të kuptoj se cili është problemi sepse OSBE luan një rol të rëndësishëm dhe gjendet këtu falë kontributit të saj në këtë takim, i cili konsiderohet si thelbësor. Po, përfaqësuesi i OSBE-së këtu është shqiptar nga Maqedonia e Veriut por nëse do të ishit më i qartë se cili është problemi, do të isha i lumtur t’ju ndihmoja”, tha Rama në përgjigje.
Sapo Rama e përfundonte fjalën, ambasadori rus kërkonte t’i jepej mundësia që të reagonte sërish.
“Do doja t’ju paralajmëroja se nëse sot, në fakt ju miratoni vendime duke i rënë çekiçit, atëherë Presidenca Shqiptare do të përballët me një praktikë të shkeljes së dukshme të praktiktave të KS dhe natyrisht i bie që të tregoni se rregullat nuk vlejnë për ju”, tha Vassily Nebenzia në reagimin tjetër.
Rama nuk e fshehu neverinë nga fjalët e përfaqësuesit rus dhe iu përgjigj atij në këtë mënyrë: “Më duhet të them se duke ardhur nga ju gjithë ky leksion i shkeljes së rregullave në këtë ndërtesë është një goditje mjaft mbresëlënëse, por duke qenë se e përsëritët shumë herë që shkelja këtu ka të bëjë me faktin që presidenti Zelensky do të flasë përpara anëtarëve të Këshillit, ka një zgjidhje për këtë. Nëse bini dakord. Ju ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta mbajë fjalën. Ajo çfarë e bëri të rëndësishëm atë për të gjithë ne ta dëgjojmë e mbase diskutojmë vjen nga diçka që e keni bërë ju, jo ne. Faleminderit shumë. Mbaj shënim dhe do të vijojmë me seancën tonë”.
Kreu i delegacionit rus e mori fjalën edhe njëherë, për t’i thënë Ramës se “nuk po flisni në cilësinë tuaj kombëtare si përfaqësues i Shqipërisë” dhe se si ai nuk duhet të japë “vlerësime politike në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit”.
“Sapo iu përgjigja pasi mu drejtuat si kryeministër shqiptar e pasi vazhduat të thonit gjëra të pasakta lidhur me atë çka është procedura këtu. Nëse nuk doni të përgjigjem në cilësinë e kryeministrit shqiptar mos më provokoni si i tillë. Megjithatë, le të vazhdojmë tanimë sërish”, tha Rama.
Përveç tjerash, kryeministri shqiptar e shfrytëzoi rastin ta mbronte historinë e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, duke theksuar se kjo nuk mund të shërbejë si pretekst “për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperiale dhe makthin e ngrysur që kanë eksportuar në Ukrainë”.
“Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin apo më shumë ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre neoimperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë. Pavarësisht sa përpiqeni Kosova, pavarësia e Kosovës është sanksionuar (aprovuar) nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.
Të rëndësishme ishin edhe fjalët e tij për luftën në Ukrainë.
“Lufta e Ukrainës është e gjithkujt që aspiron të jetojë në një botë ku kombet janë të lira dhe e drejta për të jetuar në paqe dhe e padiskutueshme. Për këtë arsye të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre… Shqipëria është vend i vogël, mbështetja jonë mund të mos ndryshojë dinamikën në fushëbetejë por kontribuon për të mos pranuar aneksimin dhe për të mos lënë atë që është e qartë të shndërrohet në diçka të dyshimtë”, tha ai.
Edhe pse fjalët e Ramës mund të cilësohen jo shumë diplomatike dhe jo të zakonshme për Këshillin e Sigurimit, ato bënë që presidenti ukrainas ta falënderonte publikisht kryeministrin e Shqipërisë.
“I dashur Edi Rama, sot në takimin e Këshillit të Sigurimit, ju i keni treguar botës se si të trajtohet Rusia në mënyrën e duhur, gënjeshtrat dhe hipokrizia e saj. Ju faleminderit që e drejtoni presidencën në mënyrë kaq parimore”, shkroi Zelensky në X – rrjetin social të njohur më parë si Tëitter.
Në raportimet për mbledhjen e KS të OKB-së, disa prej mediave më të mëdha ndërkombëtare i vendosën në titull fjalët e Ramës.
“Ndaloni luftën dhe Zelensky nuk ka nevojë të flasë, i thotë Rusisë kryetari i Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ishte titulli i agjencisë së njohur ndërkombëtare të lajmeve, Reuters.
Ajo shkroi se si Rama iu përgjigj Moskës, e cila prej kohësh përsërit se pushtimi është “operacion special ushtarak”.
“Dua t’i siguroj kolegët tanë rusë dhe të gjithë këtu se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare”, tha Rama, i njohur për një sens humori therës, nën qeshje të heshtura nëpër sallë.
Edhe agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press citoi fjalët e Ramës në përplasjen me përfaqësuesit rus, përfshirë kryediplomatin e Moskës, Sergei Lavrov.
AP shkroi se si deklarata e Ramës se “ky nuk është operacion special i Presidencës Shqiptare” skaktoi të qeshura.
Ky takim i nivelit të lartë synonte të niste nevojën e bashkëpunimit mes vendeve për të parandaluar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe për të promovuar zgjidhjen paqësore të konflikteve përmes mjeteve diplomatike dhe dialogut.
Në 19 muajt e fundit, Këshilli i Sigurimit është mbledhur dhjetëra herë për të diskutuar për Ukrainën, mirëpo nuk ka mundur të vendosë diçka për shkak të vetos që e gëzon Rusia, si anëtare e përhershme e këtij trupi.
Ndërsa lufta në Ukrainë po zhvillohet, Volodymyr Zelensky e vazhdoi ofensivën e tij diplomatike në Neë York. Ai i bëri thirrje OKB-së që ta heqë veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, duke bërë thirrje për reforma të mëdha dhe duke thënë se “vetoja në duart e agresorit bllokon OKB-në”. “Është e pamundur të ndalet kjo luftë, sepse të gjitha përpjekjet janë vënë në veton nga agresori ose ata që mbështesin agresorin”./Botapress.info/