Lëvizja Vetëvendosje fituese në 22 komuna, analistët zbulojnë a do t’i plotësohet “dëshira” Kurtit edhe në zgjedhjet lokale

Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Presidentja Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.

Thirrja e kësaj seance për datën 15 prill 2025 është në përputhje me këto afate dhe synon të sigurojë një fillim të mbarë për legjislaturën e re.

“Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Derisa pritet formimi i qeverisë së re, një hartë ndryshe ka publikuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka publikuar hartën ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në 22 komuna.

“Në zgjedhjet parlamentare 2025, LVV është e para në 22 komuna, PDK në dy komuna, LDK në një, AAK (me Nismën Socialdemokrate) në dy, KDTP në një, ndërsa LS në 10 (prej të cilave gjashtë janë komuna të Ahtisaarit)”, ka shkruar Kurti.

Gjersa, Kurti  ka shtuar se harta e tij duhet të iu shërbejë edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë, analistët politikë kanë folur, nëse këto përqindjet e zgjedhjeve parlamentare janë tregues për zgjedhjet lokale.

Qarri: Nuk pritet të jenë komplet Kopje e zgjedhjeve parlamentare

Analisti Gani Qarri thotë se votimet komunale nuk pritet të jenë komplet kopje e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas tij, në qeverisjet komunale preferohen më tepër udhëheqës dhe menaxher të mirë ekonomik se sa orator politikë.

“Në fakt, fillimisht do të ishte mirë, që vendi pikësëpari të bëhej me Qeveri të re shtetërore, për të cilën Kosova ka shumë nevojë dhe votimi i saj të ndodhte po të njëjtën ditë me konfirmimin e deputetëve si dhe formimit të Kuvendit të Kosovës, ku përveç Nisma-s, koalicionit qeverisë, do të ishte në të mirën e saj, që t`i bashkohet edhe LDK, duke pasur parasysh se në koalicion me PDK, të ashtuquajturën “listë serbe”, AAK-n etj, LDK ka dështuar ta dëshmojë veten si parti e suksesshme në qeverisje edhe për shkak të ndërskëmbcave të vazhdueshme politike të segmenteve te komplikuara si PDK & AAK, duke prishur parakohshëm koalicionet, dhe quar vendin çdo dy vjet në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Në anën tjetër megjithëse LVV, pas zgjedhjeve qendrore ka krijuar bindjen se është sinjal i mirë që në votimet e 9 shkurtit, ajo ka dalë e para në 22 komuna, në zgjedhjet komunale shumica e të cilave udhëhiqen nga partitë opozitare, veçanërisht në ato të cilat kanë kryetar me performancë të mirë dhe me përvojë shumëvjeçare, votimet komunale nuk pritet të jenë komplet Kopje e zgjedhjeve parlamentare. Duke qenë se në qeverisjet komunale preferohen më tepër udhëheqës dhe menaxher të mirë ekonomik se sa orator politikë, në komunat ku kryetarët aktual janë treguar të suksesshëm nuk mund të priten ndryshime të mëdha, madje kjo ka bërë që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 VV, veçanërisht në raundin e dytë të pësojë tronditje të thellë, duke fituar vetëm në katër komuna, nga 12 sosh, ku ajo dërgoi në garë kandidatët e saj”, shprehet Qarri.

Në Zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV kishte fituar vetëm katër Komuna: PDK në 8 po aq sa edhe LDK-ja, AAK në 5 dhe Nisma Socialdemokrate në një Komunë.

Analisti Qarri thotë se është e rëndësishme për LVV përzgjedhja e kandidatëve me të cilët do të garojë.

Sipas tij, LVV mund të fitojë në Mitrovicë, Prizen e Prishtinë nëse cakton kandidatë vërtetë potencialë.

 “Kështu që edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale është shumë e rëndësishme përzgjedhja e kandidatëve me të cilët do të garojë LVV, edhe për faktin se nivelet e zgjedhjeve parlamentare, dallojnë shumë nga ato komunale dhe në to, votohet për zgjedhjen e kryetarëve dhe njerëzve që do të përfaqësojnë banorët lokal e udhëheqin mirë komunat dhe jo për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Andaj duke mos ditur kandidatët me të cilët LVV do të garojë në zgjedhjet komunale, derisa ende nuk i ka bërë të njohur emrat e bashkë-partiakëve me të cilët do ti hyjë fushatës për kryetar komunash, përveç Mitrovicës ku LVV besojë se ka gjasa reale dhe Prizrenit ku LVV vazhdon të mbetet konkurrente e fortë, pas dështimeve të vazhdueshme të kryetarit aktual të kryeqytetit Përparim Rama, nëse LVV cakton një kandidatë vërtetë potencial, kësaj radhe mendojë se LVV edhe në Prishtinë e ka rastin ideal, të fitojë, gjë që do të ishte me rëndësi të veçantë për të, si parti fituese e zgjedhjeve qendrore dhe udhëheqëse e qeverisjes shtetërore”, shton analisti.

Tutje, Qarri sheh pak emra brenda LVV që do t’u ndihmonte qeverisja qendrore e partisë që të shkëlqenin në përballje edhe për komuna.

 “Thënë realisht, megjithëse mendohet se qeverisja në nivelin qendror mund të ndikojë në zgjedhjet lokale, ndoshta edhe për faktin se ende nuk dihen emrat e kandidatëve të VV-së, me të cilët ajo do të garojë në zgjedhjet lokale, përveç komunave të lartcekura dhe atyre që aktualisht udhëheqë, unë ende pak emra shoh brenda LVV-së, të cilëve do tu ndihmonte qeverisja qendrore e partisë, që të shkëlqenin në përballje edhe për komuna, veçanërisht në Ferizaj, e të mos flasim këtu edhe për rajonin e Drenicës, që nga fillimi njihet si rezervat i mbyllur hermetikisht i PDK-s, edhe për votimet komunale, ku edhe 26 vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, njëjtë si në Korenë e veriut, është i ndaluar rreptësishtë “devijimi” në votime dhe për asnjë shkak as arsye, nuk guxon të ndodhin dallime, në nivelin qendror as atë lokal”, përfundon Qarri.

 

Mehmet: Kurti nuk duhet të jetë shumë optimist

Kurse, sipas analistit Faton Mehmeti historia tregon se nuk përsëritet rezultati si në zgjedhjet nacionale, ashtu edhe në ato lokale.

Sipas tij, VV në zgjedhjet e kaluara fitoi 51 për qind në zgjedhjet nacionale, por në ato lokale fitoi vetëm në tri komuna.

 “Historia tregon se nuk përsëritet rezultati si në zgjedhjet nacionale, ashtu edhe në ato lokale, andaj edhe nuk mund të jetë ndryshe këtë herë. Besoj se Kurti nuk duhet të jetë shumë optimist, pavarësisht se kjo është propagandë e lejuar politike për të mobilizuar njerëzit, gjithsesi e vërteta është ndryshe. Në zgjedhjet e kaluara, VV fitoi 51% në zgjedhjet nacionale, ndërsa në ato lokale fitoi vetëm në tri komuna, çka është totalisht e kundërta e asaj që po paraqitet”, deklaron Mehmeti.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale qytetarët votojnë individin pavarësisht partisë.

 “Vetëdijesimi duhet të ndryshojë në zgjedhjet lokale, përndryshe e pret i njëjti debakël si në zgjedhjet e kaluara lokale. Në zgjedhjet lokale, qytetarët votojnë për individin, pavarësisht partisë, ndërsa e kundërta ndodh në ato nacionale. Besoj se këtë e di edhe Kurti, dhe të tjerët”, përfundon analisti.