Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dhënë mbështetje reformës për drejtësi, pas takimit të panjoftuar për medie që e mbajti kryetari i saj me kryeministrin Albin Kurti. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka qëndrim tjetër.
Takimi i Memli Krasniqit me Albin Kurtit nuk ishte lajmëruar fare për medie dhe u mësua vetëm në mëngjesin e sotëm. Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Memli Krasniqi u shpreh se do të mbështeste reformën në drejtësi e cila do të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Por, LDK-ja nuk e ka pranuar ftesën e Kurtit për takim.
Kjo parti politike përmes zëdhënëses së saj politike ka shprehur qëndrimin e saj për rastin duke e quajtur të panevojshëm takimin në (sic) hapësira tjera:
“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme“, u shpreh znj. Halimi për Nacionalen.