Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mbështetësit e partisë për pjesëmarrjen e tyre aktive në turin paraelektoral.
Abdixhiku e cilësoi këtë periudhë si “madhështore”, duke shtuar se ajo krijoi një momentum të ri për LDK-në dhe për Kosovën, si një hap i rëndësishëm drejt fitores së madhe që do të realizohet në zgjedhjet e ardhshme.
“Turneu paraelektoral i ndryshimit, përfundoj; për t’i hapur vend tani fushatës elektorale që do të nisë më 11 janar të vitit 2025. Ishte bukur, ishte zjarrtë, ishte thjeshtë madhështore – si asnjëherë më parë. LDK dhe mbështetësit tanë krijuan momentum të ri, si prelud i fitores të madhe për Republikën”, ka shkruar Abdixhiku.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu mirënjohjen për qytetarët, të cilët sipas tij, dhanë “jetë” lëvizjes për ndryshim dhe e mbushën partinë me shpresë për një të ardhme më të ndritshme.
Abdixhiku theksoi se ringritja e LDK-së është e pashmangshme dhe se e ardhmja është e ndritur, duke e përshkruar si një refuzim të ndarjes, përçarjes dhe urrejtjes që përhapet në shoqëri.
“Ju i dhatë jetë lëvizjes sonë për ndryshim, ju i dhatë shpresë LDK-së dhe Kosovës për të ardhmen që na pret. Mbi të gjitha, ju na dhatë zërin që na mungonte kaherë. Ringritja jonë është e destinuar; e ardhmja jonë është thjeshtë e bukur! Ajo qëndron si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes e urrejtjes që na shtyhet gjithandej”, u shpreh Abdixhiku.
Ai gjithashtu bëri thirrje për angazhim të madh në fushatën elektorale që do të nisë më 11 janar 2025, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e festave dhe takimeve të mëdha që do të organizohen gjatë periudhës së ardhshme.
Abdixhiku përfundoi me mesazhin: “Ndryshimi po vjen, bëhu ndryshimi!” /Telegrafi/



Të tjera
Lajme
A do të ketë koalicion LDK-LVV? Haziri: Deri më tani nuk ka pasur asnjë takim
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është
Aktuale
Çka ndodhi brenda banesës në Ferizaj ku u vra F.H.? Detaje nga kërkesa e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarës
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur
Uncategorized
Discover How Mr Fortune No Deposit Bonus Can Elevate Your Casino Experience
The world of online casinos is