Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, i tha Gazetës se LDK-ja e vlerëson inciativën e partive jashtë parlamentit për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës por që s’do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Halimi tha se LDK-ja do të vazhdojë me veprime konkrete kundër vendimit për shtrenjtim të rrymës.
“Siç jeni të informuar LDK ka iniciuar një sërë aktivitetesh për të parandaluar shtrenjtimin e rrymës. Duke filluar nga propozimet e dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Ekonomisë. Sa i përket takimit, LDK vlerëson dhe respekton iniciativën e çdo formacioni politik dhe jo politik për të kundërshtuar këtë shtrenjtim. Kurse ne padyshim do të vazhdojmë me veprime konkrete institucionale kundër këtyre vendimeve të cilat po e rëndojnë jetën e qytetarëve”, tha ajo.
Në takim e ftuar nga PSD-ja për koordinim opozitar do të marrë pjesë vetëm AAK-ja e cila do të përfaqësohet nga nënkryetari Ahmet Isufi.
Ndërkaq, partia më e madhe opozitare PDK-ja, s’do të jetë pjesëmarrëse në këtë takim.