Në Ditën e Gruas, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon qasje më serioze nga Qeveria e Kosovës për adresimin e dhunës ndaj gruas, por edhe politika adekuate që mundësojnë përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës.
Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, u shpreh se aktualisht nuk ka vullnet politik për adresimin e të dyja shqetësimeve që ngriti ajo.
Ajo bëri thirrje të rritet efikasiteti i trajtimit të rasteve të dhunës ndaj grave.
Si shqetësim kryesor, ajo ngriti nivelin e lartë të dhunës ndaj grave për çka, Lushaku-Sadriu kërkoi ndërhyrje të menjëhershme dhe politika adekuate që dhuna në familje të shpallet e patolerueshme.
“Nga viti 2021 nga 1985 viktima gra në familje kemi pasur dy të vrara ndërsa në vitin 2022 ka pasur rritje nga 2055 dhe tri gra të vrara. Asnjë masë të ndërmarrë imediate asnjë masë të sigurisë në institucionet publike”, tha ajo.
Si shqetësim të dytë, kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu renditi nivelin e ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Ajo u shpreh se dhe ndërtimi i çerdheve do të ndikonte në përfshirjen më të madhe të grave në punë.
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK përmendi edhe mohimin e të drejtës që trashëgimisë së pronës që po i bëhet grave në Kosovë për çka kërkoi të bëhen ndryshime ligjore por edhe promovim më i madh për këtë të drejtë./Botapress.info/