Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka vendosur të fillojë largimin e ambasadorëve të emëruar politikë.
Këtë më parë e kishte filluar Glauk Konjufca, sa ishte ministër i këtij dikasteri.Presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra 16 ambasadorë dhe konsuj të Kosovës anekënd botës.Mirëpo ky vendim nuk është pritur mirë nga opozita.
Lidhur me këtë, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim ka thënë se, veprimi i ministres Gërvalla është bërë në bazë të të gjitha standardeve diplomatike shtetërore botërore.
“Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me largimin e 16 ambasadorëve të Kosovës ka vepruar sipas të gjitha standardeve diplomatike shtetërore botërore dhe nuk ka arsye të kritikohet nga askush përveç të pakënaqurve të tipave të Gjergj Dedajt, i cili pa kurrfarë argumentesh kritikon e ofendon presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin”, ka thënë Mehazi.
Sipas tij, shkarkimi është diçka normale pasi ata kanë qenë në poste të partive politike të opozitës dhe se do të zëvendësohen me ambasadorë të partive fituese gjatë zgjedhjeve parlamentare.
“Pasi të gjithë 16 ambasadorët e konsujt e larguar janë poste të partive politike të opozitës, normale, se nuk e kanë vendin aty e do zëvendësohen me ambasadorë të partive fituese gjatë zgjedhjeve parlamentare. Me humbjen e Trumpit humbi edhe Grenelli dhe gjithë bashkëpunëtorët tjerë të ish-presidentit të SHBA-ve.
Edhe në Kosovë me ardhjen e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit nuk kanë çfarë kërkojnë ambasadorët e emëruar nga Thaçi e Haradinaj, me largimin e tyre normale se do largohen edhe emëruesit e ambasadorëve e konsujve të tyre nëpër botë. Është e palogjikshme që ish-ambasadorja e Hashim Thaçit, Vlora Çitaku, të emërohet ambasadore e Vjosa Osmanit e Gërvallës, se Gërvalla do emërojë e do bashkëpunojë me ambasadorët e konsujt e vetë e jo me të Thaçit”, deklaron Mehazi.
Në fund thotë se, është fare e qartë që fati i ambasadorëve politikë varet prej partive te tyre, humb partia humbin edhe ata dhe zëvendësohen me persona të partisë fituese.
“Fati i ambasadoreve politikë varet prej partive te tyre, humb partia humbin edhe ata dhe zëvendësohen me persona të partisë fituese dhe kaq e qartë. Nuk mundet detyrën e ambasadorit në RMV ta mbajë i emëruari i Hashim Thaçit, Gjergj Dedaj, normale se qeveria e Kurtit do ta zëvendësojë me një tjetër të LVV-së”, përfundon Mehazi.