Seremb Gjergji sot do të udhëtojë për herë të fundit nga Nju Jorku për në Kosovë. E ka “blerë” biletën njëdrejtimëshe.
Nuk do të vijë më KURRË në Nju Jork. Nuk do të takohemi KURRË më për kafe në Morris Park, nuk do të hamë KURRË më burek te “Dukagjini”.
Seremb Gjergji sot kthehet përgjithmonë në Kosovë, do të prehet në vendlindje, aty pranë babait të tij të ndjerë!
************************
E kam takur për herë të parë këtu e 25 vjet më parë. Erdhi në redaksinë e “Gazetës shqiptare” në Prishtinë.
Editori i gazetës Ilaz Bylykbashi mbante ligjërata për fotografi në Kolegjin e gazetarisë “Faik Konica” në Prishtinë. Ai kishte përzgjedhur disa studentë që ta kryenin praktikën në gazetë.
Arlinda Desku, Petrit Musolli, Teuta Tmava e ndër ta edhe Seremb Gjergji dhe Sama Bajraktari, tash Gjergji, bashkëshortja e Serembit dhe gazetarë të tjerë kryenin praktikën në “Gazetën shqiptare”.
Serembi e Sama vinin, gjithmonë së bashku.
Një ditë, si për shaka, e ndala pak në zyrë dhe i thashë: “Djalo a e din mbesa e kujt është Sama?”
“Po, tha duke buzëqëshur! Mbesa jote!” Dhe shtoi: “Mos ke galje dajko, mbesën e ke në duar të sigurta!”
Një ditë u caktua ekipi i gazetarëve për të shkuar në Drenicë, për të bërë shkrime nga “territoret e lira” të Drenicës ku vepronte UÇK-ja.
Drenica ishte në shtetrrethim. Hyrje daljet kontrolloheshin rreptë nga Policia serbe.
“Edhe unë do të shkoj në Drenicë” ma tha.
“Jo ti nuk do të shkoshë në Drenicë” i thashë, por nuk ia tregova arsyen.
E pashë se i mbeti hatri.
Gjatë luftës, bashkë me Samën i ishte bashkuar UÇK-së.
Një ditë, një prej komandatëve të tij i kishte thënë: “Seremb, ti nuk je për vijën e parë të frontit të luftës. Ti je për prapavijë të frontit”. Komandati ia kishte shpjeguar arsyen: “Djemtë e hasretit nuk janë për front të luftës. Unë i kam edhe 5 vëllezër të tjerë dhe unë jam për vijën e parë të luftës”.
Këtu e 25 vjet më pas më tha: “E di pse nuk më ke lejuar të shkoj në Drenicë kur të kërkova që bashkë me gazetarët e tjerë të shkoj edhe unë.
E plotësova komandantin e tij: “Gazetarët që nuk kanë vëlla tjetër nuk bën të dërgohen në terrene të luftës”.
Në pranverën e vitit 2020, kur virusi Corona po bënte kërdi anembanë botës, mu lajmërua përmes telefonit. Më tha se jam në Nju Jork. Se ka ardhë të bëjë një operacion të rëndë dhe se do të qëndrojë disa javë këtu.
“Hiqe more maskën e merr frymë lirisht” më thoshte derisa po ecnim në Morris Park, në Nju Jork. “Virusi është grip sezonal, i shpikur për qëllime politike, gjeostrategjike…Hiqe maskën!’.
Në fund të tetor të këtij viti u rikthye përsëri në Nju Jork. Më tha se duhet ta bëjë edhe një operacion. Kësaj herë shumë më të vështirë.
Unë e pyesja për operacionin, për mjeken, për mundësinë e shtyerjes së operacionit apo edhe për mundësinë që fare të mos i nënshtrohej operacionit, e ai pytjet e mia shqetësuese i merrte me sportivitet. “Hajt dajko (kështu më thërriste për hatër të Samës) mos u merr me këtë punë. Ka kush merret, është mjekja, janë kolegjiumi i mjekëve amerikanë… Po shih çka i kam shkruar znj,Van Der Leyen për vizat, shih këtë propozimin tim për Asociacionin, Komandanti i KFOR-it ka kërku takim me mua për këtë punë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shpreh interesim për propozimin tim për Asociocionin, du me themelu një si Lëvizje me mundësi shndërrimi në parti politike, ja shih llogon, a po të pëlqen…”
Ai fliste pa u ndalë, thurte plane për të ardhmen e tij pas operacionit e unë herë pas here e ndërprerja: “E kush ka me të ba operacion? A ke me u ba në të njëjtën Klinikë apo diku tjetër…”
“Ec bre mos u merr ti me ato punë. Lexoje tekstin që ta dërgova për Asociacinin. Por mos e boto njëherë, pa u taku unë me përfaqësues të Ambasadës Amerikan. Veç lexoje. Të tregoj unë kur me e botu…”
Për më shumë se dy orë, pimë kafe, edhe nga një “Skenderbeg” të Shqipërisë te kafja e shqiptarëve në Morris Park. Drekuam dhe u ndamë.
E lamë që të dëgjohemi e të takohemi pas operacionit.
Pas 2 nëntorit, telefoni i Seremb Gjergjit më dilte se nuk ka qasje.
Disa sms-a që ia dërgoja më sinjalizonin se nuk i pranonte.
Pas gati 2 javë ditësh nga një i afërm i tij, Driton Përlaska, mora vesh se Serembi ësht në gjendje kome për më shumë se dy javë. “E ka punën bukur vështirë po ishalla Zoti i ndihmon” me tha Dritoni.
Më 1 dhjetor të këtij viti, mora lajmin e kobshëm!
Seremb Gjergji nuk e kishte kalur sfidën e operacionit!
Në ceremoninë mortore të organizuar në Kishën shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, nana e Serembit nuk mund t’i ndalte lotët. Qante me za, me thellësinë e zemrës. Samës po i thoja që të mos mërzitet e as vetë nuk i ndalja lotët.
Diella më dha broshurë të vogël si një Lutje për shpirtin e Serembin bashkë me fotografinë e tij.
Seremb Gjegji ka qenë njeriu më optimist që kam njohur në jetë. Njeriu me buzëqeshjen më të ëmbël që kam njohur në këtë botë. Ai, edhe pse “e shihte vdekjen me sy” (mjekja kryesore e kishte paralajmëruar se ky do të jetë operacioni më i vështirë i saj me shansë 50 me 50, jetë a vdekje) nuk dorëzohej. Thurte plane për të ardhmen, fliste për ambicie edhe politike dhe mezi priste ta kryente operacionin e të takohej me Komandantin e KFOR-it e mbase edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë.
Të gjitha këto ëndrra të jetës, Seremb Gjergji i mori me vete.
Ai prej sot do të takohet në amshim me babain e tij të ndjerë, mjekun e njohur Jak Gjergjin.
Lamtumirë Seremb Gjergji!
Bajrush Morina