Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, edhe një herë tjetër ka kërkuar nga trupi gjykues lirimin e tij nga paraburgimi.Avokati Julius Von Bonne ka kërkuar nga trupi gjykues që të ketë parasysh edhe faktin se Mustafa mund ta humbasë punën.Përmes shkresës drejtuar trupit gjykues, mbrojtja ka parashtruar se Mustafa duhet të lirohet nga paraburgimi, ose të lirohet me kushtet e përcaktuara nga paneli.
“Mbrojtja parashtron se nëse ka ndonjë thirrje për t’u paraqitur ose kusht që do t’i vihej atij, do të bëhej mbi atë që të paraqitej në gjykatë, i akuzuari do të pajtohet, qoftë përmes VTC -së ose fizikisht. I akuzuari do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij në mënyrë që të sigurohet se nuk do të largohet nga vendi, ose do të kërkojë leje nëse ndonjë udhëtim i lidhur me punën do ta kërkonte këtë”, thuhet në shkresë.
Sipas mbrojtjes, në thelb, i akuzuari do të qëndrojë në shtëpinë e tij me familjen e tij dhe do të fillojë punën e tij aktuale për të siguruar jetesën e familjes së tij, mirëpo nëse përcaktohet një kusht që ai nuk duhet të punojë fare, atëherë i akuzuari do t’i përmbahet asaj.“Përveç kësaj, mund të vendosen kushte për të kontrolluar njerëzit që mund ta vizitojnë atë në shtëpinë e tij, ose për të kontrolluar bisedat e tij telefonike, aktivitetet e mediave sociale, aktivitete të kontrolluara brenda ose rreth shtëpisë së tij, ose çdo masë tjetër që mund të merret”, thuhet në këtë shkresë.
Mbrojtja thotë se nëse paneli, bazuar në ndonjë gjetje specifike, do të urdhërojë çdo masë tjetër që mund të gjejë të përshtatshme për këtë të akuzuar specifik, mbrojtja parashtron se i akuzuari do t’i respektojë ato.
Tutje, thuhet se i akuzuari ka qenë i punësuar deri në momentin kur është arrestuar dhe transferuar në Hagë, e se punësimi i tij ishte me kohë të plotë dhe ai ka mbajtur një jetë familjare, e cila është dëmtuar shumë nga paraburgimi i tij.“Duke vendosur për paraburgimin dhe zgjatjen e paraburgimit, mbrojtja parashtron se Gjykata duhet të trajtojë këtë çështje personale. Është e ditur se kur dikush nuk do të paraqitet në punë për një kohë të gjatë, ai thjesht do të humbasë punën e tij.
Ndikimi ekonomik për të Akuzuarin dhe familjen e tij nga zgjatja e paraburgimit është një faktor që duhet të merret parasysh dhe trajtohet nga Gjykata. Mbrojtja parashtron se ndikimi ekonomik i zgjatjes së paraburgimit duhet të peshohet si një faktor në mënyrë që të justifikohet një zgjatje e tillë”, thuhet në shkresë të mbrojtjes.Në fund të shkresës thuhet se edhe një herë, mbrojtja përsërit se i akuzuari do të jetë i pranishëm gjatë seancave të gjykatës, do t’i përmbahet çdo kushti që do të vendoset nga gjykata dhe nuk do të ndërmarrë në asnjë mënyrë asgjë që do të dëmtonte procedurat në asnjë mënyrë.Ndryshe, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja, raporton “Betimi për Drejtësi”.Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Botapress.info/