Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar t’i sigurohet një version më pak i redaktuar apo i paredaktuar i amendamenteve të propozuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për ndryshim të aktakuzës, para se të njëjtës t’i kërkohet të bëjë parashtrime kuptimplotë mbi amendamentet e propozuara.
Në shkresën e së njëjtës, thuhet se mbrojtja rezervon pozicionin e saj në lidhje me amendamentet e propozuara derisa një version i tillë i aktakuzës së ndryshuar të vihet në dispozicion të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fund, thuhet se si alternativë mbrojtja kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake të refuzojë amendamentet e propozuara, pasi ZPS ka vonuar në mënyrë të pajustifikueshme paraqitjen e tyre, të cilat në mënyrë të pashmangshme ndikojnë në përgatitjet dhe hetimet efektive të Mbrojtjes.
Tutje, thuhet se ZPS ka parashtruar se amendamentet e propozuara mbështeten faktikisht, kontribuojnë në saktësinë, konsistencën dhe detajet e aktakuzës, janë në interes të viktimave dhe drejtësisë dhe nuk janë paragjykuese ose në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarit.
Në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.“
Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues./Botapress.info/