Kryetari i zgjedhur i Skënderajt, Fadil Nura ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Dorëheqjen e ka njoftuar përmes një postimi në Facebook.
“Ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Parlamentin e Republikës, ku me përgjegjësi jam angazhuar për të mbrojtur përveç tjerash edhe interesat e komunës sonë”, shkroi Nura.
Ai tha se do ta ketë nderin të shërbejë tani si kryetar i Komunës së Skënderajt.
“Nderin e njëjtë do ta kem edhe tani t’ju shërbej, vetëm se me përgjegjësinë e kryetarit të Komunës, për çka mëzi pres të nisim angazhimet për punë të mëdha që na presin”, ka shkruar ai.
Nura fitoi pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit. Ai mori 57,99% të votave, krahas 40,64% sa i mori kundërkandidati i tij, Bekim Jashari.