I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot dhe nesër do të qëndrojë në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.
Kuvendi edhe sot në seancë, këto janë pikat e rendit të ditës
Në fillim të javës së ardhshme, ai do të qëndrojë dy ditë edhe në Beograd.
Vizitat i ka konfirmuar Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri.
Sipas Stanos, Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.
Ai ka thënë se pas takimit që liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pasur së fundi në Bruksel, më 27 shkurt, Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd për t’i vazhduar ato diskutime dhe për të përgatitur takimin e radhës më 18 mars në Ohër.
Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Stano ka konfirmuar se tash qëllimi kryesor është që të arrihet pajtimi rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes.
Ai ka thënë se qëllimi final është normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, por kjo, sipas tij, do të pasojë në fund të procesit.
Nga 11 nene që ka propozimi evropian, në skenën politike e shoqërore kosovare neni më i diskutuar është ai me numër shtatë.
Aty flitet për përkushtimin e të dyja palëve në arritjen e ujdisë specifike e garancive sipas përvojave evropiane për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Si dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
E në nenin dhjetë thuhet mes tjerash se palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar krejt ujditë e mëparshme në dialog.
Lajçaku të hënën dhe të martën e 13 dhe 14 marsit do qëndrojë në Beograd.