Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur para mediave pas takimit që pati sot me kryeministrin Albin Kurti.
Ai nuk dha shumë detaje të takimit, përveçse tha se ka progres në këto bisedime që po i zhvillon shpesh së fundi,
“Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”.
Lajçak u pyet edhe për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave. Por, ai s’tregoi shumë.
“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë”.
Për draftin mbi statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u hartua nga një organizatë gjermane, Lajçak tha se nuk kishte njohuri para se ai të publikohej në mediat e Kosovës.
Megjithatë, ai tha se gjithkush është i lirë të hartojë drafte të tilla, por siguroi se BE-ja nuk ia kërkon askujt ta bëjë këtë.
“Unë e kam parë atë nga mediat tuaja, nuk isha i informuar për të më herët, nuk është ndarë me ne. Dhe është në rregull, kushdo që do të bëjë drafte është i mirëseardhur. Por, ne nuk jemi duke i kërkuar askujt ta bëjë këtë në emër tonin”.
Për atë se a duhet që marrëveshja përfundimtare të ketë edhe njohjen reciproke mes Serbisë, Lajçak tha se këtë nuk e imponon, por shtoi se kjo është në dorën e dy shteteve fqinje që të vendosin.
“Këtë duhet ta vendosë Kosova dhe Serbia, nuk duhet të vendos unë në emrin tuaj”.
Lajçak foli edhe për propozimin franko-gjerman, por tha se s’mund të flasë shumë për këto çështje meqë janë “të ndjeshme”.
“Sigurisht që e kemi diskutuar. Kjo edhe është arsyeja pse jam këtu në baza javore. Por, shpresoj që ta kuptoni se nuk do të ndihmojë procesin nëse jap detaje, janë çështje të ndjeshme. Ne kishim diskutime shumë serioze, të mira dhe konstruktive. Këto janë çështje të ndjeshme dhe unë jam në kontakt të përjavshëm me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq./Botapress.info