I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, është deklaruar pas takimeve me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vucic.
Përmes një postimi në Twitter, diplomati sllovak ka lënë të kuptohet që pasi Kosova e pranoi propozimin e BE’së, do ketë takime të niveleve të larta.
”Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vucic dhe Petar Petkovic.”
”Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE’së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, Kurti dje përmes një postimi në Twitter pas takimit me emisarin e BE’së për dialogun tha se plani franko-gjerman, tani zyrtarisht propozimi i BE’së është një bazë e mirë për diskutime të mëtejme.
“Një diskutim i mirë me emisarin special të BE’së, Miroslav Lajcak, në një drekë punë në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE’së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që e konsiderojmë një bazë të mirë për diskutime të mëtejme dhe një platformë të qëndrueshme për përparim. Disa çështje të caktuara rreth garancive ndërkombëtare, mekanizma implementimi dhe renditje kohore do të adresohen së shpejti gjatë bisedimeve të radhës në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit Europian na bëjnë optimist,” shkroi ai.
Lajcak, pas Kosovës ka udhëtoi drejt Serbisë, ku u prit nga presidenti serb Aleksandar Vucic.
Ky i fundit me anë të një postimi në Instagram tha se me diplomatin sllovak kanë pasur një bisedë të hapur dhe miqësore.
”Një bisedë e hapur dhe miqësore me Miroslav Lajcak. Kur them e hapur, e mendoj vërtetë. Më kuptuat të gjithë. Rroftë Serbia”, shkroi ai. /Botapress.info/