Gazeta pak më parë raportoi për arrestimin e menaxherit të agjensionit turistik në Pejë ‘Express Travel’, i cili dyshohet se ka mashtruar dhjetëra mërgimtarë me bileta aeroplani.
Gazeta mëson ekskluzivisht se personi i arrestuar është Roland Idrizaj, 32-vjeçar.Idrizaj dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’, duke marrë paratë e mërgimtarëve për bileta kthyese në vendet ku ata jetojnë, por në momentet e fundit qytetarët kanë mbetur pa udhëtuar. Kjo pasi që nuk kanë pasur vende të rezervuara në aeroplanët që nisen nga Kosova për në perëndim.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se pas denoncimit të parë nga tre mërgimtarët, në stacion policor për rastin e njëjtë janë paraqitur edhe 15 persona tjerë nga të gjitha rajonet e Kosovës, ku të gjithë pretendojnë se janë mashtruar nga Roland Idrizaj.
Idrizaj është paraqitur në stacionin policor në Pejë gjatë ditës së djeshme, ku i është përgjigjur pyetjeve të hetuesve policorë dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Edhe një agjencion turistik mashtron mërgimtarët me bileta, policia arreston pronarin
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj të njëjtit është ngritur kallëzim penal për veprën ‘Mashtrim’.
Por kjo nuk është hera e parë që Idrizaj ka telashe me ligjin. Ai ishte arrestuar edhe në prill të vitit 2019, ku edhe atëherë dyshohej se në bashkëkryerje me një grua, kanë mashtruar me avio-bileta gjithsej 27 bashkatdhetarë.
Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor në katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.
Gazeta do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.