Gazeta raportoi sot për një rast të sulmit seksual që dyshohet se ka ndodhur të hënën, në afërsi të një parku të lodrave, në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës, ku një vajzë 14-vjeçarë është sulmuar seksualisht nga një person i moshës madhore. I riu që po dyshohet për këtë rast tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, ndërkohë që ndaj tij kanë nisur hetimet edhe për një vepër tjetër.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i arrestuar për këtë rast është Kaltrin Lika, 22-vjeçar, i cili është kapur edhe me drogë, me rastin e ndalimit dhe kontrollit nga ana e Policisë.
Të dyshuarit që e sulmoi seksualisht të miturën, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një qese me marihuanë dhe një mulli për bluarjen e substancave të tilla.
Ndaj tij, përveç rastit ku dyshohet se ka abuzuar me të miturën, është iniciuar hetim edhe për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Çka dihet për rastin e sulmit seksual
Lika po dyshohet se dje, në orët e mbrëmjes, e ka marrë të miturën nga parku i lodrave dhe e ka futur në veturën e tij, për t’u larguar jo fort larg parkut.
Në një parking, ai po dyshohet se është ndalur dhe me zor e ka prekur vajzën në pjesët intime.
Gjithçka dyshohet se u zbulua menjëherë dhe rasti u denoncua nga familja, duke aktivizuar kështu Policinë për arrestimin e të dyshuarit.
Si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.