11 ligje i kanë përfunduar Qeverisë Kurti deri tash në Gjykatën Kushtetuese. I fundit është ai për Zgjedhjet e Përgjithshme. Për pesë prej kërkesave, Kushtetuesja ka dalë me Aktgjykime. Dy ligje i janë rrëzuar në tërësi. Nga pushteti kanë drejtuar kritika ndaj kësaj gjykate. Zëvendësi i Kurtit e ka cilësuar si institucion “jokompetent” dhe “jokredibil”, derisa Ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se po e pengon jetësimin e reformave.
Gjykatës Kushtetuese i është shtuar edhe një lëndë në sirtar. Javën e kaluar, Avokati i Popullit i është drejtuar Kushtetueses lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën.
Dispozita e kontestuar ka të bëjë me kuotën gjinore. Sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.
“Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë”, thuhet në njoftim.
Qelaj kishte paralajmëruar që në dhjetor se për ligjin do t’i drejtohej Kushtetueses. Fjalët e tij nuk i kishin pëlqyer kryeministrit Albin Kurti, i cili ishte parë duke diskutuar i tensionuar me Presidenten Vjosa Osmani.
Nga ardhja e Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës, ky është ligji i 11’të që përfundon në Gjykatën Kushtetuese.
Ligjet që kanë përfunduar deri tash në Kushtetuese janë: Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Ligji për Zyrtarët Publikë, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Ligji për Investime të Qëndrueshme, Ligji për Fondin Sovran dhe tash së fundi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Parashtrues të kërkesave kanë qenë partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK), Avokati i Popullit dhe Komuna e Prizrenit.
Sipas përgjigjeve të Gjykatës Kushtetuese për Express, deri tash Gjykata ka nxjerrë vendim përkitazi me kërkesat për pesë ligje. Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i ka rrëzuar në tërësi.
Ligjit për Zyrtarët Publikë i janë anuluar disa nene. Për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, është obliguar Kuvendi që të bëjë ndryshime brenda gjashtë muajve, derisa për Ligjin lidhur me Tatimin në Pronë të Paluajtshme, Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës, pra se nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Brengat e Kurtit e kritikat e Bislimit dhe Haxhiut ndaj Kushtetueses
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur disa herë shqetësim publikisht që ligjet po i përfundojnë në Kushtetuese.
“Mua më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona shumanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten, të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë, sa i nga një opozitarizmi politik”, ka deklaruar Kurti.
Pasi ishte rrëzuar Ligji për KPK’në, ai kishte shprehur brengë se edhe ligjet tjera mund t’i rrëzohen.
“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto edhe tash tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, kishte thënë Kurti.
Ndërkohë, vartësit e Kurtit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kanë drejtuar kritika e akuza ndaj kësaj gjykate.
Bislimi ka thënë se Kushtetuesja ka prodhuar “dokumente kontroverse” dhe se gjykatësve “u mungon kompetenca dhe kredibiliteti”.
Këtë deklaratë, Bislimi e kishte dhënë pasi ishte pyetur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit.
“Gjykata jonë Kushtetuese njihet për prodhim të dokumenteve kontroverse në vendime dhe këtë e shohim në baza ditore, sepse ne besojmë se atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti, dhe ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës që nuk ka mundur të zbatohet në të kaluarën, për shembull, Gjykata ka prodhuar një dokument tjetër, një vendim tjetër, që pak a shumë njeh kërkesën e punëtorëve të një kompanie të privatizuar në Ferizaj në vlerë prej 22 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë, ligji thotë se nuk mund të kompensohen punëtorët më shumë se 80% për qind të vlerës së shitur të firmës, që ka qenë 5 milionë”, kishte deklaruar Bislimi.
E Haxhiu ka thënë se Kushtetuesja po e pengon jetësimin e reformave të kësaj qeverie.
Ministrja ka kritikuar Kushtetuesen për vonesa në trajtimin e kërkesave, vonesa këto që Haxhiu thotë se po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, shkruan Gazeta Express.
“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë. Sepse opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike. Fakti që Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë që Gjykata Kushtetuese për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, duhet të trajtohen brenda 2 muajve, dhe nga ana tjetër në presim deri në një vit për një aktgjykim, kjo sigurisht përbën problem, sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që ne mund ti përfundonim para një viti, sepse Gjykata Kushtetuese s’i ka trajtuar me prioritet, ne jemi të detyruar të presim e të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një aktgjykim”, ka thënë Haxhiu.