Kosovarët po iu bëjnë konkurrencë me të madhe shtetasve të Bashkimit Evropian sa i përket marrjes së nënshtetësisë zvicerane.
Janë gjithsejt 199 kosovarë që e kanë marrë këtë nënshtetësi në fund të vitit 2020.
Në fund të vitit 2020 në kantonin e Luzernit jetonin 79 mijë e 215 të huaj me qëndrim të përhershëm dhe 2 mijë e 333 të huaj të tjerë, jo të përhershëm.
Sipas Zyrës Kantonale të Statistikave në Zvicër Lustat, shkalla e pranisë së të huajve është 19 për qind, që është shumë nën mesataren zvicerane 25.5 për qind, shkruan Luzerner Zeitung përcjell Klankosova.tv
Që nga viti 1990, numri i të huajve me qëndrim të përhershëm në kanton është më shumë se dyfishuar 79 mijë e 215 persona (+ 42,681 persona).
Përqindja e të huajve është rritur nga 11.3 në 19.0 përqind në të njëjtën periudhë dhe kështu është ende shumë nën mesataren zvicerane.
Kjo e fundit është rritur nga 16.7 në 25.5 për qind në të njëjtën periudhë.
Në vitin 2020, në kantonin e Luzernit janë natyralizuar 1 mijë e 186 të huaj, 34 më shumë se një vit më parë.
Sipas Lustat, qytetarët nga Bashkimi Evropian janë natyralizuar më shpesh (EU27: 560 persona), shumica prej tyre gjermanë 335 persona dhe italianë 70 persona.
Tutje referuar statistikave të publikuara del se grupi më i madh i të huajve vjen nga Gjermania.
82.3 për qind e të gjithë të huajve që jetojnë në kantonin e Luzernit vijnë nga Evropa.
57.2 për qind e këtyre vijnë nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian (BE27).
Sipas kombësisë, 14 mijë e 267 qytetarë janë gjermanë dhe përfaqësojnë grupin më të madh me 18.0 për qind, të ndjekur nga italianët me 10.6 për qind, kosovarët 10.2 për qind, portugezët 9.5 për qind dhe serbët 4.8 për qind.
Në përgjithësi, të huajt që jetojnë në kantonin e Luzernit vijnë nga 168 vende të ndryshme.
Sipas Lustat, përqindja e të huajve ndryshon shumë nga rajoni në rajon.
Shpesh ajo është më e lartë në rajonet urbane sesa në rajonet rurale,
Me një shkallë prej 36.0 për qind, komuna Emmen ka pjesën më të lartë të të huajve në kantonin e Luzernit.
Përqindja më e ulët e të huajve është në komunën Romoos me 3.0 përqind percjell Botapress.info.