Shkruan Berat Buzhala
Me Hajrullah Çekun në garë, LVV në raundin e parë ka me marrë rezultatin më të dobët që nga viti 2013, mirëpo kjo nuk do të thotë që Çeku nuk mund të zgjidhet në raundin e dytë – dhe kjo ndodh për disa arsye.
E para, unë ende besoj që kandidati i LVV-së, në raundin e parë del i pari, por gjithashtu besoj që do të marrë më pak vota se Arben Vitia në vitin 2021, i cili kishte marrë 42 për qind. Pres që Hajrullahu t’i marrë diku prej 35 deri në 38 për qind.
Favorit për të shkuar në balotazh është padyshim Përparim Rama. Rama, para katër vitesh, në raundin e parë kishte 29 për qind, pak a shumë aq sa kishte edhe LDK në zgjedhjet e përgjithshme. Me fjalë të tjera, unë e shoh kandidatin e LDK-së, në raundin e parë, diku prej 25–32 për qind, sepse aty sillet edhe vota e LDK-së.
Uran Ismaili është kandidati më serioz që e ka PDK për Prishtinën. Urani, para katër vitesh, i kishte befasuar të gjithë me rezultatin dinjitoz prej 21 për qind në raundin e parë. Ishte shumë larg balotazhit, ama ishte bindshëm më mirë se rezultatet që i kishin pasur kandidatët e PDK-së për Prishtinë, me përjashtim të Fatmir Limajt. Edhe PDK në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Prishtinë kishte marrë pak a shumë këto vota.
Urani në këto zgjedhje do të ndjekë të njëjtën strategji: të ‘distancohet’ sa më shumë prej brendit të partisë, me shpresën që votuesi i PDK-së do t’i shkojë pas, por që gjithashtu të peshkojë elektorat të huaj. Qartazi, Urani do të marrë më shumë se 21 për qind, por është pikëpyetje e madhe a do ta kalojë 25 përqindëshin në raundin e parë – që për mua është kuota që të çon në balotazh.
Rreziku më i madh i Përparim Ramës në këto zgjedhje është performanca katërvjeçare (ta shohim si po përmbyllen disa projekte të orëve të fundit), rreziku më i madh i Hajrullah Çekut është, gjithashtu, performanca e dobët si ministër, kurse rreziku më i madh i Uranit është ‘distancimi’ nga PDK, gjë që mund ta irritojë votuesin historik të PDK-së. Me pak përpjekje, Përparim Rama mund të marrë vota të PDK-së (pjesëmarrja e tij në varrimin e babës së Thaçit), kurse Urani mund t’i marrë disa vota urbane Ramës.
Në balotazh, gjendja është më e paqartë sesa në vitin 2021. Për shkak të fitores së madhe të LVV-së disa muaj më herët, banorët e kryeqytetit, përveç tjerash, patën vendosur të votojnë në mënyrë të mençur – për t’ia marrë Prishtinën LVV-së, të cilën e kishte qeverisur në dy mandate, dhe për t’ia kthyer LDK-së. Në këtë rast ishte bashkuar e gjithë opozita.
Tash është shumë më ndryshe. Gara mes tre kandidatëve është më e ngushtë, kurse votuesi është më i shtensionuar. Nëse në balotazh shkojnë Përparimi me Hajrullahun, Urani do të përpiqet që votuesin e tij ta çojë kah Hajrullahu, qoftë përmes një koalicioni të heshtur apo publik. Kurse nëse në balotazh shkojnë Hajrullahu me Uranin, votuesi i LDK-së do të jetë më i prirë ta votojë kandidatin e Vetëvendosjes.
Me fjalë të tjera, për shkak të hendekut mes LDK-së dhe Uranit në Prishtinë, unë e shoh deri diku favorit Hajrullahun. Sigurisht që me kampanja të menduara mirë dhe të mençura kjo gjendje mund të ndryshojë.
Të tjera
Aktuale
Vdekja e 27-vjeçarit, ndalohen pesë policët – dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia”
Janë ndaluar pesë zyrtarët policorë me
Aktuale
Vdes në QKUK i riu i dytë nga vetaksidenti në Treboviq të Pejës
Ka vdekur në QKUK edhe i
Aktuale
Rohde “interesohet” për konstituimin e Kuvendit, Kurti i flet për “përpjekjet” e tij dhe kërcënimin me bombë nga Serbia
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, takoi