Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ende nuk është rehatuar pas zgjedhjeve të fundit lokale, shkruan Llapi.info.
Kjo, pasi që pozita e kryetarit të kësaj dege në Llap ka shkaktuar pakënaqësi tek disa zyrtarë të LDK-së në këtë Komunë.
Përderisa i emëruar në krye të LDK-së në Llap është ish-kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, shef të LDK-së po e quan vetën edhe Agim Veliu – ish-kryetar dege dhe ish-kryetar i Podujevës.
Në këtë cilësi, ai madje udhëtoi në Gjermani, ku nënshkroi marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit me kryetarin e CDU-së në Velbert.
Veliu, ditë më parë pati deklaruar se ai udhëheq me LDK-në në Podujevë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, pasi që siç ka thënë Veliu, Hyseni s’është kryetar legjitim.
Në anën tjetër, edhe Hyseni thotë se kryetar i LDK-së në Llap është ai, duke shtuar se u emërua nga kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës.
“Kryetar jam emëruar nga Kryesia Qendrore e LDK-së. Dihet kush e udhëheq degën e LDK-së në Podujevë”, ka shtuar ditë më parë Hyseni.
Tek tani, disa muaj pas zgjedhjeve, nëndegë të LDK-së në Llap kanë nisur të përcaktohen për “liderin” e tyre.
Është nëndega e LDK-së në fshatin Dumosh që i ka dalë në krah Veliut. Në një postim në Facebook, kjo nëndegë thotë se Veliu, siç shkruhet, e ka mbajtur PDK-në larg qeverisjes në Podujevë, teksa ka shtuar se rrugëtimi i LDK-së në Podujevë është i detyrueshëm me Agim Veliun.
“Agim Veliu i vetmi qe mbajti 20 vite LDK- në aktive ne Podujevë. I vetmi qe mbau larg PDK-në ne qeverisjen komunale. I vetmi qê sa ishte ky skishte grupacione mbrenda degës në Podujevë.Thjesht i pa krahasueshem, dhe i detyrushem rrugtimi i LDK-së në Podujevë me Agim Veliun”, thuhet në postim.
Duhet theksuar Veliu ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të LDK-së në Podujevë nga vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.