Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se deputetët e kësaj partie i reaguan deputetit Behgjet Pacolli pasi ai zgjodhi të flasë për një temë tjetër nga ajo që po diskutohej.
Në konferencë për media, Kusari-Lila përmendi mungesën e Pacollit për një kohë në Kuvend, duke e arsyetuar reagimin e deputetëve të LVV-së që ia ndalën fjalën kryetarit të AKR-së.
“Ndoshta edhe mungesa e tij për një kohë në Kuvendin e Kosovës e ka shkaktuar një pritshmëri tjetër në raport me debatin në Kuvend, për shkak se tema ishte tjetër dhe reagimi i deputetëve të Vetëvendosjes kishte të bënte në raport me një temë tjetër të cilën e diskutoi Pacolli”, tha Kusari-Lila.
Deputeti i AKR-së, Behxhet Pacolli në seancën e sotme të Kuvendit nisi të fliste për shkatërrimin e natyrës në Kosovë.
“Po e shoh që keni probleme mes vete këtu, e unë pak a shumë i du rezultatet, jam njeri i rezultateve, nuk sho rezultate nga kjo zhurmë që po bëhet këtu. Po i kthehem një problemi të tjetër, natyra e Kosovës, ky kopsht që perëndia e ka falur për neve, është duke u shkatërruar. Nuk e di a i bjen ndërmend dikujt nga Qeveria me diskutu për këtë gjë. Malet po shkatërrohen”, tha Pacolli.
Atij filluan t’i reagonin deputetë nga LVV-ja.
“Është edukatë, unë nuk ju kam ndërhy”, tha fillimisht ai derisa vazhdoi të fliste për shkatërrimin e natyrës.
“Siç kemi pa edhe dje vërshimet në Prishtinë e rrethinë po e shkatërrojnë edhe këtë të mirë që perëndia e ka bo për ne, nuk e di a dilni prej Prishtinës me pa me çfarë brutaliteti”, shtoi Pacolli.
Megjithatë, pasi zhurmat nuk u ndaluan, ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se më nuk do ta merr fjalën në Kuvend.“Unë po ndalem dhe nuk e marr asnjëherë fjalën”, tha Pacolli.