Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti është demantuar nga të gjithë hisedarët në negociatat e Brukselit për deklaratën e tij se Serbia ka refuzuar propozimin franko-gjerman. Pas përgjigjes plot ironi të zëdhënësit të BE-së se “s’janë në dijeni që Kurti është zëdhënës i qeverisë së Serbisë’, emisarit amerikan Gabriel Escobar, Kurtin e ka demantuar edhe shefi i BE-së, Josep Borell duke potencuar se palët s’e kanë refuzuar një propozim të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media pas një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës kishte treguar për herë të parë qëndrimin për planin franko-gjerman. Pa u futur shumë në detaje, kreu i Qeverisë së Kosovës kishte thënë se një propozim i tillë është një bazë e mirë për të ecur përpara në procesin e dialogut. Ndërkohë për Serbinë kishte deklaruar se e kanë refuzuar propozimin dhe se po tentojnë ta mjegullojnë “JO”-në e dhënë për Parisin dhe Berlin duke e tensionuar situatën në veri të Republikës së Kosovës.
Për një deklaratë të tillë të Kurtit kishte pasur një reagim të ashpër nga Bashkimi Evropian. Një zëdhënës i BE-së kishte thënë se Brukseli nuk është në dijeni që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është zëdhënës i Serbisë.
Ndërkohë edhe emisari i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, kur ishte pyetur për këtë deklaratë të Kurtit në një intervistë për Zërin e Amerikës kishte thënë se një konstatim i tillë s’qëndron dhe se është shumë herët të dilet me qëndrim për përgjigjet që kanë dhënë palët për propozimin.
“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, kishte deklaruar emisari amerikan.
Për përgjigjen që ia kanë dhënë Brukselit, Berlinit dhe Parisit ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Kreu i shtetit serb pa dhënë shumë detaje, ka treguar se propozimin frank-gjerman i janë kundërpërgjigjur me një non-paper.
Se Serbia nuk ka dhënë përgjigje negative për propozimin e Scholz dhe Macron e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell. Shefi i diplomacisë së BE-së të hënën pas mbledhjes së Këshillit për Politikë të Jashtme ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi nuk është që janë pajtuar plotësisht me përmbajtjen, por nuk e kanë refuzuar dhe sipas tij kjo nënkupton shumë.
“Dhe më duhet ta them se të dy palët, nuk do të thoja se janë pajtuar, por nuk e kanë refuzuar propozimin, që do të thotë shumë”, ka deklaruar të hënën Josep Borell.
Borell dje ka treguar se propozues të planit “franko-gjerman” janë vetë ai dhe Miroslav Lajcak por që ka shtuar se Berlini dhe Parisi e kanë mbështetur.
Në bazë të informacioneve që dihen deri tani për një propozim të tillë, do të synohet përmes tij zgjidhja e disa problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë që janë të zgjidhshme për momentin, duke përjashtuar njohjen reciproke.
Ndërkohë situata e fundit e krijuar në veri të Republikës së Kosovës shkaku i targave, ka stagnuar procesin e negociatave dhe Brukseli është duke bërë përpjekje t’i kthejë në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë.
Për këtë e kanë ftuar në Bruksel shefin e ekipit negociator të Kosovës, Bensik Bislimin me të cilin do të diskutojnë për punën e targave, meqë Borell ka treguar se si Bashkim Evropian kanë dhënë një propozim për dalje nga situata aktuale./G