Gjatë muajit të Ramazanit, që është muaj i shenjtë për komunitetin mysliman, liderët politikë të Kosovës kujdesen që të shtrojnë iftar për të parin e BIK-ut, Naim Tërnava. Një traditë tashmë e etabluar që disa vite, politikanët e shfrytëzojnë shtruarjen e iftarit për BIK-un, për të dërguar mesazhe respekti e nderimi për qytetarët që agjërojnë.
Tash kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në fund të Ramazanit, myftiu Tërnava ka ngrënë iftare nga Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Çka u pa në iftaret “zyrtare”?
Në të gjitha këto iftare, të shtruara në ditë të ndryshme, myftiu Tërnava vërehet i buzëqeshur. Nga këto katër iftare, tri janë shtruar në restorante, ndërsa një nga to, ajo e Haradinajt, është shtruar në selinë e AAK-së, duke i dhënë një imazh më modest iftarit për nga pamja e jashtme e larg “madhështisë arrogante e hijerëndë” të restoranteve.
Iftari i Haradinajt ishte më i madhi për nga numri, ku u panë disa deputetë të AAK-së, anëtarë të saj e të BIK-ut, duke e bërë ish-kryeministrin Haradinaj njeriun më dorëlirë në shtrimin e iftarit. Nga të gjitha iftaret, në bazë të votove, myftiu Tërnava ka mbajtur fjalim në këmbë vetë në iftarin e shtruar nga AAK-ja
Ndërsa, më dorështrënguari ishte kryeministri Kurti, në iftarin e të cilit në total ishin vetëm tetë pjesëmarrës, pesë nga BIK-u dhe Kurti vetë i treti. Në fakt, Kurti dhe ekipi i tij u treguan pak të pavëmendshëm ndaj mysafirit të ftuar, duke darkuar për iftar në një vend që në prapavi të myftiut Tërnava kishte alkool, gjë e cila u kritikua në rrjetet sociale.
Një lëshim i tillë në një aspekt është edhe ofendim ndaj myftiut Tërnava, pasi feja islame e ndalon pirjen e alkoolit. Këshillë protokolare për ekipin e Kurtit: herën e ardhshme shmangeni këtë lëshim. Megjithatë, në fotografitë e postuara në BIK e Zyra e Kryeministrit, duket se ky lëshim nuk ka ndikuar shumë në atmosferën e takimit, pasi myftiu shihet i buzëqeshur edhe në takimin me Kurtin dhe vartësit e tij.
Por siç shihet nga fotot, Kurti u tregua “konservator” në lidhje me gjininë e përzgjedhur në ekipin e tij. Shefi i ekzekutivit, afër vetes, mblodhi vetëm burra, ashtu siç bëri edhe myftiu në takim me Kurtin dhe me të gjithë liderët e tjerë opozitarë. Edhe ky një lëshim i panevojshëm, duke e lënduar barazinë gjinore edhe në iftare.
Më të kujdesshëm në të dy aspektet u treguan liderët e opozitës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u përkujdesën që të mos e vendosin në pozitë të keqe myftiun në lidhje me prezencën e alkoolit. Ndërsa në ekipet e tyre, Krasniqi e Abdixhiku u treguan më gjithëpërfshirës në aspketin gjinor, teksa disa nga anëtaret e ekipeve të tyre qenë gra (njëjtë veproi edhe Haradinaj). Një hap i tillë duhet të përshëndetet e të inkurajohet edhe në të ardhmen.
Në të katër iftare, myftiu Tërnava është përcjellur nga pothuajse të njëjtit bashkëpunëtorë, me të cilët e qeverisë BIK-un që gati 20 vite. Në krah të Tërnavës u panë Sabri Bajgora, ish-kryeimam i Koosvës, Ahmet Sadriu, sekretar i BIK-ut, të cilët janë bashkëpunëtorë lojal e jetëgjatë të myftiut.
Ndryshe, të premten është dita e parë e Bajramit, që vjen pas një muaj agjërimi.