Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është kërkesë e ndërkombëtarëve që mos ta bëjë publik draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga blloku evropian më 26 tetor në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti ka pyetur opozitën se a dëshirojnë t’ua tregojë draftin me koordinim a pa koordinim.
“E kuptoj kërkesën e juaj që ta shihni draftin, po emisarët evropianë dhe ata amerikanë më thanë që mos me tregu draftin. Tash a me koordinim a pa koordinim? Qysh po doni se jam në hall me juve? Ata më thanë mos e bëj publik tash për tash, e kom nda me presidenten e Republikës. Ata kanë kërku që mos me publiku draftin, i koordinuar jam me ta. Me bo me jau tregu draftin, I bjen që s’jam me koordinim me ta. Veç kallëzoni qysh po doni me jau kallëzu. Me koordinim a pa koordinim”, tha ai.
Kurti madje është shprehur se qëkur është bërë kryeministër i vendit, opozita çdo të dytin muaj e ka akuzuar se po e themelon ‘Zajednicën’, por sipas tij, kjo s’do të ndodh asnjëherë.
“Prej se jam bërë kryeministër për herë të dytë më së paku çdo të dytin muaj opozita thotë u bo Zajednica, e boni Zajdenicën. Sot jam në muajin e 32-të të Zajednicës, ku e keni Zajdenicën? Me iu pa tregu dikush në pranverën e vitit 2021 se në vjeshtën e vitit 2023 s’ka Zajednicë, kurrë s’kishit besu, po ja që s’ka dhe po iu them që kurrë s’ka me pasë“, tha Kurti.