Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur kritikave të ashpra nga partitë opozitare lidhur me procesin e dialogut, raporton Gazeta Sinjali.
Në seancën e sotme plenare, Kurti ka thënë se propozimi evropian, është një propozim, një kornizë për marrëveshje bazike, e jo përfundimtare.
“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, tha Kurti
Sipas kreut të Qeverisë, duhet proces i gjatë negociator për të arritur deri te një marrëveshje. Kurti ka thënë se marrëveshje finale pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë.
“Kemi mosnjohje reciproke. Ajo çfarë na duhet është njohja e ndërsjellë. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër s’mund të ketë. Nuk është finale. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive, e bën ndarjen e njohjes reciproke në ndarje de facto dhe de jure. Andaj po të thoshim diçka për atë propozimin që na është ofruar, aty paragrafët që merren nga modeli i dy Gjermanive i vitit 1972, janë paragrafë që pikërisht i referohen asaj njohjes de facto. Në kuadër të preambulës, i ka pesë fjali, është edhe trashëgimia e së kaluarës. Duhet kuptuar nuk janë as vetëm dy faqe taman. Është tekst i përgjithshëm e i shkurtër. Kur thuhet në anglisht, ‘legacy of paste’, trashëgimia e së kaluarës, do shumë punë e definim të asaj për të adresuar. Ne në këtë kuptim jemi fillim të fillimit. Në preambulë ka referencë për pakicat kombëtare, por çfarë do të bëhet me këtë togfjalësh varet nga zhvillimet politike e procesi i mëtutjeshëm negociator. Ajo çfarë kam thënë nga shtatori, ky propozim paraqet bazë të mirë për diskutim të mëtutjeshëm, e platformë solide për të ecur para. Se kam refuzuar propozimin, por kam thënë se diskutime e mëtutjeshëm mbi këtë bazë do të mund të bëjmë”, ka thënë Kurti.