Albin Kurti nuk do më kundërshtarë në Kuvend. Të paktën jo këta që i pati këtë herë. Pak para se të shpërndahej Kuvendi, ai tha nga salla kryesore e institucionit ligjvënës se qytetarët duhet t’i nxjerrin ata “prej politikës komplet”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i quajti mbrëmë “qesharakë”, “të gjorë” e “të mjerë” deputetët opozitarë dhe tha se partitë e tyre janë “të së kaluarës”, të “zanatit të vjetër” dhe “subjekte të mplakura, lodhura e dërrmuara” , pasi ato nuk morën pjesë në seancën në të cilën Lëvizja Vetëvendosje synonte ta zgjidhte Presidente kandidaten e tyre, Feride Rushitin.
Kreu i LVV-së tha pak para mesnatës n137 Kuvend se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku “nuk dëshironin që Lëvizja Vetëvendosje, paçka se i ka fituar zgjedhjet me 51.1%, t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore”, ndërsa fliste për ofertat “jashtëzakonisht gjeneroze” që ua kishte bërë atyre.
Ai ua kishte ofruar pozitën e kryeparlamentarit dy partive më të mëdha opozitare, në mënyrë që pozita e Presidentit t’i lihej partisë së tij.
Atmosferën në takimet e para disa javëve me krytarët e PDK-së dhe LDK-së, Kurti e përshkruante më herët si “konstruktive e dashamirëse”, por mbrëmë në Kuvend tha se tani qytetarët duhet t’i nxjerrin “prej politikës komplet” kundërshtarët e tij politikë.
“Çka po kërkon opozita, realisht, të dashur deputetë? Opozita po thotë kështu: ose populli le të na hjekë krejt prej Kuvendit, ose duhet me na dashtë me zor. Veç qeto dy mundësi janë. Se ata janë thellësisht të pakënaqur me numrin e deputetëve që i kanë. Praktikisht LDK-ja po thotë ‘i kam 15 deputetë, por s’më vyejnë kurrgjë’. PDK-ja po thotë ‘i kam 22 deputetë por s’po më vyejnë kurrgjë’. Se tash ju p’e dini: 22 plus 15 bëjnë 37 – e na 57, e na 66. Këtë s’po mund ta kapërdijnë mendërisht. Dhe çfarë po u thonë qytetarëve? ‘Po shkojmë prapë në zgjedhje, sepse, ose na nxjerrni prej Kuvendit, pra prej politikës komplet, ose duhet me na dashtë me zor’. Kjo është zgjedhja që do të ketë para vetes populli i Kosovës së shpejti”, tha ai.
Këto parti, Kurti tha se “janë subjekte të së kaluarës, subjekte të zanatit të vjetër, subjekte të mplakura, lodhura e dërrmuara”.
“Kosova, për të pasur presidente të re, duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj edhe janë në rënie të lirë. Janë duke rënë vazhdimisht nëpër cilket elektorale. Sa më shumë që të mbahen zgjedhje, aq më poshtë po shkojnë. Dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin”, tha ai.
“Për besë do të ishin qesharakë, sikur të mos ishin të gjorë. Kjo do të ishte një komedi e bukur, sikur të mos ishte gjithë ky mjerim politik”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë shpreson që kundërshtarët e tij të mbesin në mënyrë “të përhershme” jashtë Kuvendit.
“Shpresoj e besoj që votuesit e tyre, këtë mungesë të tyre, do ta shndërrojnë në një mungesë të përhershme, ashtu që ata të mos kenë më nevojë të bojkotojnë, sepse nuk do të munden as të vijnë këtu”, tha ai.
Kurti tha se “Kosova praktikisht e ka Presidenten”, ndërsa foli për 63 votat që i mori Feride Rushiti në rundin e parë të votimit, në seancën që LVV-ja e nisi e vetme të hënën mbrëma. Nisja e seancës për zgjedhjen e Presidentit dhe zhvillimi i një votimi pavarësisht se në sallë nuk ishin 80 deputetë, nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare që merren me drejtësinë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit.
Mbrëmë, para vazhdimit të seancës, Kurti iu përgjigj Abdixhikut, i cili paraqiti emrin e Vjosa Osmanit për Presidente, duke kërkuar garanci se 66 deputetët e mazhorancës do ta votonin atë.
Kurti kërkoi 15 nënshkrimet e deputetëve të LDK-së për Osmanin, që ish-presidentja të futej në garë me kandidaten e LVV-së. Në këtë rast, pas dy rundeve të para, në të tretin LVV-ja do të mund ta zgjidhte Presidente kandidaten e vet.
Kuvendi u shpërnda në mesnatë dhe tani vendi shkon zyrtarisht në zgjedhje të reja, edhe një herë tjetër – për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë.



Të tjera
Lajme
Zbulohet kontrabanda me produkte dentare në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës ka zbuluar produkte
Aktuale
NATO-ja thotë se nuk ka plane për reduktim të trupave në Kosovë
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, një nga
Lajme
E trishtë | Ky është i riu që humbi jetën në vendin e punës në Pejë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur