Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konsiderohet vëlla nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas disa vjetësh kur të dy nuk mund ta fshihnin neverinë për njëri-tjetrin. Ata u pajtuan pas një takimi në vilën qeveritare në Tiranë para dy javësh. Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka ndërmend të dorëzohet në akuzat ndërshtetërore, ani pse ka mbetur e vetme në këtë betejë.
Në fund të vitit 2020, si presidente në detyrë, Vjosa Osmani kishte shkuar për vizitë zyrtare në Tiranë. Në një fjalim para deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë ajo e kishte ndezur një zjarr të cilin nuk e ka shuar ende.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kishte zgjedhur të mos shkonte atë ditë në sallën e parlamentit, së bashku me një pjesë të qeverisë së tij, dhe të mos e dëgjonte ‘live’ fjalimin plot akuza e kritika të Vjosa Osmanit. Ajo mund të konsiderohet si një nga vizitat më të tensionuara ndonjëherë që një shef/e shteti ka pasur në Shqipëri.
Fjalimi i Osmanit u paraqit si një paketë akuzash e kritikash ndaj të gjitha qëndrimeve të Ramës në lidhje me Kosovën, e të cilat pashmangshëm u bënë pjesë e politikës së jashtme të Shqipërisë. Osmani e pati Ramën në tehun e akuzave të saj, pasi kryeministri shqiptar angazhohej për “Ballkanin e Hapur” – nismën që atëherë quhej “Mini-Schengen” – dhe e ftonte Kosovën që t’i bashkohej asaj.
“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet, jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës”, kishte thënë Osmani mes tjerash në atë fjalim.
Prej atëherë, Vjosa Osmani do t’i bashkohej qartë dhe publikisht Albin Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Edi Ramën.
Në takimet rajonale e globale, Osmani e Rama nuk takohen. Nga liderët e rajonit, presidentja e Kosovës duket se më mik e ka presidentin malazez, Milo Gjykanoviq.
Osmani e Rama ishin në Nju Jork të SHBA-së për takime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por s’e takuan njëri-tjetrin. Shefja e shtetit të Kosovës nuk deshi as të përgjigjej kur në një intervistë për Zërin e Amerikës të hënën u pyet se a është takuar me kryeministrin e Shqipërisë.
Osmani nisi të flasë se si ajo ka “raporte të shkëlqyeshme” me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, të cilin në gusht e priti me ceremoni shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
“Mosmarrëveshjet (me Edi Ramën) janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale”, tha ajo.
Osmani tha se raportet ndërshtetërore janë të rëndësishme, e jo ato individuale. Por pranoi se kanë dallime të qarta me Ramën, duke treguar se si duhet të sillen liderët shqiptarë në rajon.
“Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviqit”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës beson se Edi Rama po i redukton krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Ajo tha se secili shqiptar “e ka obligim kombëtar” që të flasë qartë për krimet serbe.
Osmani tash duket se po qëndron e vetme në betejën kundër Ramës. Një udhëtim i papritur i kryeministrit Albin Kurti drejt Shqipërisë para dy jave, u duk sikur i shafiti akuzat e kritikat publike të tij ndaj Edi Ramës dhe shërbeu si akt pajtimi mes dy kryeministrave. Burime të Gazetës Express thonë se Rama ka marrë përsipër t’i ndihmojë Kurtit në ditë të vështira të dialogut me Serbinë.
Secili nga ta argumenton se tjetri e ka gabim çdoherë kur gazetarët i pyesin për çështjet për të cilat nuk pajtohen. Në një rast, Rama thoshte se është “sajesë” raporti i tij i ftohtë me Kurtin, por diçka tjetër është ajo që shihet.
Për dallim prej më herët, kur secili nga ta argumentonte se tjetri e kishte gabim çdoherë kur gazetarët i pyesnin për çështjet për të cilat nuk pajtohen, pas takimit të 13 shtatorit në vilën qeveritare, Rama shpërfaqi një tjetër qasje ndaj Kurtit. Në një intervistë për gazetën gjermane, Der Spiegel, Rama do t’i referohej kryeministrit të Kosovës me “vëllai im Kurti”.
Ai madje e shfajësoi Qeverinë e Kurtit për reduktimet e rrymës, duke thënë se ky problem “nuk është çështja e Qeverisë sot”.