“Bashkimi kombëtar” ka qenë prioriteti kryesor ndër vite i Albin Kurtit. Por, tashmë ai duket se ka hequr dorë nga ky premtim, që ua jepte kosovarëve kur bënte opozitë. Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Kembrixhit në Londër, Kurti ka thënë se Kushtetuta aktuale nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke ua shuar kështu shpresat qytetarëve që e votuan.
“Kemi gjuhën e traditat e njëjta, kemi vetëdijen e përbashkët kulturore e historike. Nuk shoh që forcimi i Kosovës bie ndesh me aspiratat e Shqipërisë, po aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt, sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë të pamundur këtë.
Vdekje të dyshimta: Një person gjendet i vdekur në Bjeshkët e Irzniqit, një tjetër në Istog
Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet t’i japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia. E kam fituar këtë mandat qeverisës me punë e drejtësi dhe dua ta bëj shtetin e Kosovës të fuqishëm, edhe ekonomikisht, edhe administrativisht”, kishte thënë ai.
Kosova, sipas Kurtit, fillimisht do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s e pastaj do të hyjë në Bashkimin Evropian.
Por, përveç që ua shuajti këtë ëndërr, Albin Kurti tashmë është shndërruar në përçarësin më të madh të shqiptarëve.
Albin Kurti i ka përkeqësuar e ftohur raportet me Shqipërinë. Ai, madje as nuk ka pranuar që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizitë të tij në fillim të këtij muaji në Prishtinë.
Kurti as nuk e mori në konsideratë ndihmën e Ramës dhe idenë e tij për krijimin e Asociacionit. Ai nuk shkoi as në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që e thirri Rama në Tiranë.
Për më tepër, Kurti i ka ndarë dhe i ka bërë “pikë e pesë” edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Është kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili kohëve të fundit e ka rritur në masë të madhe dozën e kritikës ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të dialogut me Serbinë dhe përkeqësimit të raporteve me aleatët dhe ndarjen e një donacioni për Luginën.
Në këmbim të kësaj, Arifi ka marrë edhe kritika e sulme. Ka qenë këshilltarja e Kurtit dhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka thënë se Arifit më shumë po i pengon Qeveria e Kosovës sesa veprimet e shtetit serb kundër shqiptarëve të Luginës.
Arifin për kritikat që ia ka bërë Kurtit, e ka kritikuar edhe Ragmi Mustafi.
Ai ka qenë cak i sulmeve edhe nëpër rrjete sociale, ku është shpërndarë një fotografi e tij me Aleksander Vulinin, fotografi që Arifi e kishte sqaruar në të kaluarën.
Bazuar në gjithë këto përplasje, Arifi ka publikuar sot një fotografi në të cilën ka shkruar se nuk shantazhohet.
“Nuk shantazhohem sot e as kurrë!”, ka shkruar ai.
I kontaktuar për kontekstin e reagimit të tij, në përgjigjen e tij, Arifi ka thënë se bëhet fjalë për disa zhvillime të fundit lokale në Komunën e Preshevës.
“Ka pasur tentime për të bllokuar funksionimin e Kuvendit Komunal në Preshevë, me ç’rast ka pasur konspiracione për të më larguar nga pushteti lokal, gjegjësisht nga posti i kryetarit, të organizuar nga Kurti me një kompani lokale të errët”, ka thënë Arifi.
Ai tutje ka thënë se këto tentativa për shkarkimin e tij vijnë nga mafia lokale në bashkëpunim me këshilltaren e Kurtit, Ardita Sinanin.
Kurti kinse për t’i përfshirë në qeverisjen e tij të gjithë shqiptarët, ka emëruar edhe një këshilltar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për të cilin thuhet se nuk përfaqëson shqiptarët atje, por është një zyrtar i lartë i partisë së Ziadin Selës. /Botapress.info/