Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e 29 marsit 2023, e ka pranuar para qytetarëve të Kosovës se premtimi i tij si opozitar që “nuk do të dialogojë me Serbinë pa i kthyer të pagjeturit e luftës”, “pa i dorëzuar Serbia kriminelët e luftës”, “pa e njohur pavarësinë e Kosovës”, etj., – ka qenë pjesë e strategjisë së tij në betejën për pushtet.
Ky pranim i tij shokues është bërë në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, vetëm pasi ai është ballafaquar me një deklaratë të dhënë për Zërin e Amerikës, ku ai listonte të gjitha kushtet që Serbia do të duhej t’i plotësonte para se Kurti (si kryeministër) të pranonte të ulej në tavolinën e dialogut me zyrtarët serbë (video në fund të tekstit).
“Qytetarët s’do të paguajnë për rrymën e veriut”- Përplasen Lekaj e Fejzullahu
“Pse jeni të obsesionuar a ka ndryshuar apo nuk ka ndryshuar. E kam thënë pa numër herë, koncepti dhe qëllimi është i njëjtë, strategjia prej kur jam në politikë ka ndryshuar, për konceptin e njëjtë, për qëllimin e njëjtë”, pranoi Kurti për herë të parë, pasi drejtuesi i emisionit insistoi disa herë se a ka ndryshuar Kurti opozitar i kushtëzimeve, i cili pasi u bë kryeministër shkoi në dialog pa u plotësuar asnjë kusht.
Kjo është hera e parë që kryeministri Kurti e ka pranuar publikisht se këto deklarata të tij kanë qenë pjesë e strategjisë së tij. Por, sado që Kurti mundohet të thotë se ai “ka ndryshuar strategjinë, për qëllime të njëjta”, situata në terren nuk ka ndryshuar.
Prej ditës kur Kurti u bë kryeministër dhe deri më tani që ai pa pengesa vazhdon dialogun me Serbinë, asnjë i pagjetur nga lufta e fundit nuk është kthyer nga ky shtet. Gjithashtu, as edhe një kusht tjetër i vetëm nuk është plotësuar. Serbia nuk e ka njohur Kosovën dhe as nuk e ka ndërruar Kushtetutën e saj ku shkruar se Kosova është pjesë e Serbisë. Ky shtet nuk ka kërkuar as falje për krimet që ka kryer dhe nuk ka dorëzuar asnjë kriminel lufte.
I vetmi që ka ndryshuar është Albin Kurti, i cili po mundohet që me lehtësi të kaloi mbi gjithçka që ka premtuar dhe premtimet t’i paraqesë si diçka që ka kaluar, që qytetarët nuk duhet t’i kushtojnë rëndësi.
“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimesh me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurd të bisedohet me për çfarëdo qoftë me Serbinë përderisa ajo: (1) nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, (2) nuk e ndërron Kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, (3) nuk na kërkon falje për krimet e kryera, (4) nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, (5) nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, (6) nuk na i kthen librat kadastral dhe fondin pensional, (7) nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë, dhe (9) nuk e ndërpret financimin e strukturave paralele në Kosovë”, listonte kushtet opozitari Kurti.