Dy muaj më parë – më 25 maj – Radoica Radomiroviq nga Leposaviqi u emërua Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nacionale ka pranuar informacione përmes burimeve se Radomiroviq “ka qenë pjesë e armatës serbo-jugosllave gjatë kohës së luftës në Kosovë” por edhe në ato në mbarë ish-Jugosllavinë kur Sllobodan Millosheviqi kishte shtënë në dorë tërë armatën jugosllave
(JNA) për të kryer agresion, spastrim etnik e deri edhe në gjenocid, ndaj vendeve përbërëse të ish-Jugosllavisë – ndërmarrje kriminale këto që konkluzionin e gjetën në bombardimin e Serbisë nga (asokohe) 19 shtete të NATO-s. Veç kësaj Radomorivoq, siç mësojmë ne, ka qenë deri kohëve të fundit pjesë e Mbrojtjes Civile, organizatë kjo tashmë e shpallur edhe zyrtarisht si terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Sherri në BonVivant- dalin pamjet amatore të filmuara nga klientët në momentin kritik
“Po kam qenë pjesëmarrës në luftën në Kosovë…por skam marrë pjesë në operacione luftarake”, ka thënë Radoica Radomiroviq për Nacionalen, pyetur rreth këtyre informacioneve. Zëvendës Ministri serb i emëruar nga Kryeministri Kurti, thotë se gjatë viteve 1998-1999 “kam punuar si civil në administratë në Kazermë në Mitrovicë” duke e mohuar të ketë marrë pjesë në operacione luftarake.
“Kam paguar mëditjet e rezervistëve”, na thotë ai, dhe shton se gjatë kohës sa po ndodhnin luftimet në Kosovës “kam qëndruar në Starom Trgu në Tunelin e Parë” në Mitrovicë. Radoica Radomorivoq na thotë se për këto pohime të tij “kam të gjithë dokumentacionin e nevojshëm” për ta dëshmuar.
Në lidhje me informacionet se ka shërbyer si pjesëtarë serb i armatës jugosllave (JNA)-së, që ishte krejtësisht nën kontrollin dhe funksionin e Sllobodan Millosheviqit për të gërryer kufijtë e shteteve fqinje në farkëtimin e asaj që rëndom quhet “Serbi e Madhe”, Radomiroviq e pranon se aty ka qenë ushtar, ndërsa luftërat i quan “fatkeqe”.
“Po. Jam pjesëmarrës në të gjitha luftat në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë më 1991-1992 (më pak se dhjetë muaj). Kam shërbyer si ushtar në JNA (Jugoslovenska narodna armija). Në ato luftëra fatkeqe ka pasur kroatë, myslimanë, por edhe shqiptarë e maqedonë në Pançevë në barrakadat e njësive speciale të JNA-së. Miku im i luftës, shqiptar nga Podujeva, Gëzim Mhemeti e pati humbur dorën në atë luftë. Kurrë s’e kam parë më, herën e fundit që e pash ishte në spital në Beograd”, ka shpjeguar Zëvendës Ministri, Radoica Radomiroviq.