Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUk), ku ka thënë se të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg.
Kjo pasi Kurti tregoi që Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK i ishte djegur vetura, dy herë madje – dhe i ka akuzuar dy kompani për këtë.
“Një herë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës”, ka shkruar ai Facebook.
Kush është ‘bixhozgjiu” që i shkaktoi dëme shtetit të Kosovës afro 60 mijë euro
“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”, vazhdon postimi i Kurtit.
Kurti ka thënë po ashtu se për të shprehur mbështetjen sot e ka vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Bashkë me mua në vizitë ishte edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri, Arsim Berisha, ku takuam ushtruesen e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesen e Bordit Drejtues, Aida Rexhepi dhe Drejtorin, Musa Vitija”, tregon Kurti./Botapress.info/.