Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvleftësuar krejtësisht takimin e radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të planifikuar të mbahet më 14 shtator në Bruksel. Ai ka thënë se atje nuk do të ndodh “kurrëgjë” dhe ka paralajmëruar arbitrazh për marrëveshjen e Ohrit.
Konjufca ka thënë se pas 14 shtatorit, marrëveshja e Ohrit mund të përfundojë në arbitrazh.
“Atëherë shkojmë në arbitrazh. Ka arbitrazhe që interpretojnë marrëveshjen. Arbitrazhi e merr Kosovën edhe thotë qikjo po thotë Kosova me Serbinë si dy shtete sovrane. Ai po thotë shtete sovrane, ai po thotë Kosova Metohija. Serbia duhet me ndryshu.”, ka thënë ai.
Deri në 70 euro një metër dru, qytetarët druajnë për një dimër të vështirë
I pyetur se çfarë pret nga takimi i Brukselit më 14 shtator, Konjufca është shprehur se nuk pret “kurrëgjë”. Madje, ai e thjeshtëson tej mase situatën duke thënë se Vuçiqi do të thotë “Kosova Metohija”, e Kurti “Kosova Republikë” dhe secili do të kthehet në shtetet e veta.
“Nga takimi në Bruksel nuk pres kurrëgjë. Vuçiqi ka me thanë Kosova Metohija, Albin Kurti ka me thanë Kosova Republikë edhe ka me u kthy secili në shtetet e veta. Kanë me u kthy, nuk ka.”, tha Konjufca.
Kryeparlamentari pretendon se Vuçiqi e ka mashtruar bashkësinë ndërkombëtare duke mosnënshkruar marrëveshjen e Ohrit.
“Kjo do të thotë që Vuçiqi e ka mashtru bashkësinë ndërkombëtare, edhe bashkësia ndërkombëtare me sjelljen e saj është tu mujtë me gjetë mënyra me arsyetu këtë mashtrim që ia ka bë Vuçiqi. Vuçiqi e ka mashtru sepse ka thanë nuk mundet me qitë fizik në marrëveshje. Kjo është hajgare. Qysh nuk mundesh me qitë.”, tha Konjufca.
I pyetur sërish lidhur me 14 shtatorin, Konjufca ka thënë se Vuçiqi dhe Kurti do të kthehen në shtetet e veta dhe se asgjë më shumë nuk do të ndodhë.
“Unë të kallxova pas 14 shtatorit, Albin Kurti ka me u kthy në Republikën e Kosovës, Vuçiqi ka me u kthy në Serbi. Po janë ndaj të dyjave ndoshta, por këtu nuk mund të bëjmë kompromise shtesë. Kompromisi shtesë është se nuk ka dhunë në veri sepse nuk ka banda kriminale në veri në kuptimin e fuqisë me sfidu shtetin e Kosovës. E dyta, Vuçiqi, është NATO-ja dhe nuk ia mësyn Kosovës me forca ushtarake. E treta, ai nuk e ka pranu sinqert marrëveshjen e Ohrit. Në anën tjetër Kurti thotë se nuk kam obligim për Asociacion derisa nuk e shoh Serbinë se e ka një dozë të pranimit të shtetit të Kosovës.”, tha Konjufca.
Madje, Konjufca ka zbuluar edhe një detaj lidhur me arsyetimin që Vuçiq i ka dhënë BE-së për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Në katër sy, në kuptimin e palëve pa kamera, [Vuçiqi] iu ka thënë se nuk mundet me qit nënshkrimin fizik se Prokurori e pret në aeroportin e Beogradit atje edhe e shtin në burg. Hajgare është qikjo. Borrelli ka thanë mirë z. Vuçiq, a mujmë me thanë na që ti e ki pëlqimin e marrëveshjes, kjo është jo-serioze më fal”, tha Konjufca. /Botapress.info/