Vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Departamenti i Thesarit) i vendosën nën sanksione 13 serbë nga Kosova, në mesin e të cilëve Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, vendimi i amerikanëve u mbështet nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në atë kohë, binte në sy një detaj në reagimin e Albin Kurtit në rrjetin e tij social, Facebook.Kryeministri i Kosovës në reagimin e tij kishte goditur vetëm një emër të përveçëm, Zvonko Veselinoviqin.
Çuditërisht, Kurti e kishte amnistuar kriminelin tjetër, Milan Radojçiqin, që këto ditë iu publikuan edhe koordinimet e fshehta mes shefes së deputetëve të tij me njeriun e Radojçiqit.
“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, shkruante Kurti në fillim të reagimit të tij, më 8 dhjetor 2021.
Por, kush është Milan Radojçiq dhe si u bë ai pjesë e rrëfimit të pushtetit të Kryeministrit Kurti?
Në një përgjim të publikuar nga Gazeta Nacionale, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila zhvillon një bisedë më shumë se gjysëm orëshe me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Gjatë bisedës, Simiq ia kujton shefes së deputetëve të partië së Kurtit, se ajo ka biseduar në telefon disa herë me Milan Radojçiqin, nënkryetar i Listës Serbe. Radojçiq, i dyshuar për shumë krime, përveç faktit se ai ishte bërë pjesë e Listës së Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkohej edhe nga drejtësia kosovare, pasi Prokuroria Speciale kishte lëshuar urdhër arrest për të.
Këto fakte, nuk përbënin aspak problem për Kusari – Lilën dhe Vetëvedosjen, që të koordinohen në prapaskenëv me Listën Serbe dhe Milan Radojçiqin.
Në përgjimet e publikuara, Kusari – Lila koordinohet për çështje të ndryshme me Listën Serbe, në mesin e të cilave çështje edhe ajo për Ligjin për Pagën Minimale që përjashton veteranët e UÇK-së nga ky ligj si dhe për tema të tjera./Botapress.info./