Janë zhvilluar dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, aty ku skuadrat mysafire si Prishtina e Gjilani kanë shënuar fitore ndaj Vushtrrisë e Llapit, respektivisht.
Kampioni në fuqi në dy vitet e fundit i Kupës së Kosovës u mposht nga gjilanasit me rezultat 2:1, po me të njëjtin fituan edhe kryeqytetasit por këta të fundit e përmbysën Vushtrrinë, pasi vendasit po fitonin 1:0 në pjesën e parë.
Vushtrria – Prishtina
Përballja e parë u zhvilluar në qytetin e Vushtrrisë në stadiumin Ferki Aliu.
Vushtrriasit shënuan në pjesën e parë dhe rezultati nuk ndryshoi deri në minutat e fundit të takimit, kur skuadra e udhëhequr nga Debatik Curri e përmbysi rezultatin.
Henry Chibueze shënoi për Vushtrrinë në minutën e 21-të për 1:0.
Dy gola të Endrit Krasniqit për Prishtinën, fillimisht në minutën e 81-të e pastaj për golin e fitores në 90-tën, i dhanë prishtinasve një epërsi të mirë për ndeshjen e kthimin.
Llapi – Gjilani
Për dallim nga ndeshja tjetër gjysmëfinale, takimi në Zahir Pajaziti i takoi Gjilanit me të njëjtin rezultat por të gjitha golat u shënuan gjatë pjesës së parë.
Ishte Granit Jashari që shënoi gol të hershëm në minutën e shtatë për ta kaluar në epërsi 1:0 Gjilanin.
Shumë pak minuta më pas, saktësisht në të 18-tën, Përparim Islami dyfishoi epërsinë.
Krejt çka skuadra e Tahir Batatinës arriti në këtë takim ishte një gol i shënuar për ngushtimin e rezultatit. Ishte Trimror Selimi që shënoi pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë, i asistuar nga Festim Alidema.
Gjilani e Prishtina tani do të jeni si vendas në ndeshjet e dyta që zhvillohen më 19 prill.