Autoritetet e Kosovës nuk tregojnë se ku saktësisht po mbahet Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për sulm terrorist. Thuhet se Policia nuk ka arritur ta çojë në qendër të paraburgimit, për shkak të barrikadave dhe ai po mbahet në Jarinje, aty ku është arrestuar, nga policët që po ashtu kanë mbetur të ngujuar në pikat kufitare.
Dejan Pantiq është një ish-polic i Kosovës, që është arrestuar nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe të Policisë, në veri të Mitrovicës, më 6 dhjetor.
Arrestimi i tij u përdor si arsyetim barrikadimin e rrugëve të veriut, që çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak.
Për Serbinë, Pantiq është një qytetar i pafajshëm i kapur pa arsye nga autoritetet e Kosovës. Nën dyshimet për organizim të “sulmit terrorist”, atij i është caktuar masa e paraburgimit një muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departmenti Special.
Por, Pantiq nuk ishte fizikisht në gjykatë kur iu caktua kjo masë dhe ai nuk është në qendër të paraburgimit.
Thuhet se ai është matanë barrikadave dhe se Policia e Kosovës nuk ka arritur ta bart nga stacioni i improvizuar afër Jarinjes.
![No description available.](https://scontent.fprn13-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/319230736_1099961037364131_3467937276364592046_n.png?_nc_cat=102&ccb=1-7&_nc_sid=ae9488&_nc_ohc=vUh5Aa1awdYAX8Mp3Y_&_nc_oc=AQllgWGNi8wLJg2QeM9-w3hQRXwPEWC7g7mh5nHUHIndn1jtRBQZQLd1DlWeh8anKK0&_nc_ht=scontent.fprn13-1.fna&oh=03_AdQ-JvaQ-DmmISzCYiCZI-w_I_M7ypQfyQDQy3BX9cNSag&oe=63C16BDD)
Gazeta Express ka pyetur sot Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale se ku po mbahet Pantiq. Këto institucione deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer një përgjigje. Policia ka sugjeruar t’i referohet njoftimeve publike që i ka bërë rreth arrestimit të ish-policit.
Në një njoftim të publikuar sot, Policia ka demantuar raportimet dhe deklarimet kryesisht nga Serbia, se Pantiq është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe pa terapi.
“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar”, është thënë në njoftimin e Policisë.
EULEX, duke konfirmuar se i ka cuar barnat që Pantiq i përdor, ka lënë të kuptohet se ai po mbahet në Leposaviq.
“EULEX-i fasilitoi transportimin e medikamenteve të z. Pantić. Misioni ia dorëzoi medikamentet Komandantit të Policisë së Kosovës në Leposaviq. EULEX-i është në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale të Kosovës, Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe me avokatin e z. Pantić. Në pajtim me mandatin që ka, EULEX-i është duke e monitoruar rastin për të vlerësuar trajtimin e rastit nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për RTV21.
Burimet e Gazetës Express kanë thënë se Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e EULEX-it për ta bartur Pantiqin nga Jarinja. Nga zyra për media e EULEX-it nuk janë përgjigjur rreth kësaj.
Avokati i Pantiqit, Serxhan Mitroviq, ka thënë për mediat serbe në Kosovë se Pantiq po mbahet “në një objekt në Jarinje” dhe se është i lodhur.
Policia e Kosovës sot ka thënë se pas barrikadimit të rrugëve në veri janë krijuar “rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit”.
“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Përvec për të arrestuarin, mediat në Kosovë kanë raportuar për një numër të policëve që kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare, prej kur u vendosën barrikadat.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka shkruar sot gajtë ditës se janë bërë 106 orë që policët e Kosovës në Jarinjë dhe Jashanicë po qëndrojnë pa ndërrim. Helikoperët e KFOR’it që janë parë duke fluturuar është thënë se kanë dërguar ushqim atje.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka thënë sot për Gazetën Express se katër policë mbrëmë kanë arritur të lëvizin dhe të dalin në stacionin policor në Leposaviq.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, tha policia për Express.